15 vjet burg për vrasjen në Klinë - Rrëfimi i nënës së të ndjerit dhe ‘akuza’ se kanë marrë para për gjakun e tij

Nëna e viktimës ka shprehur pakënaqësinë ndaj vendimeve të institucioneve të drejtësisë për vrasjen e të birit në qershor të vitit 2021.

Në qershor të vitit 2021, në qytetin e Klinës kishte ndodhur një vrasje. V.B u vra nga një person me inicialet F.D.

Dy vjet më vonë, kur institucionet e drejtësisë në shkallën e parë shpallen verdiktin për rastin, nëna e viktimës ka shprehur pakënaqësi.

M.B e ka quajtur “lojë” trajtimin e rastit të tyre nga Gjykata e Pejës dhe ka thënë se do ta dërgojë rastin e tyre në Gjykatën e Apelit dhe gjykatat tjera.

“Dënimin më të vogël që e ka marr, e ka marr ky, se në Pejë nuk ka drejtësi. Edhe vrasje e rëndë, edhe me paramendim, edhe armëmbajtje pa leje, edhe e ka vra të pafajshëm, edhe 15 vjet (dënim), këto janë si 15 ditë”, e ka shprehur pakënaqësin e saj M.B ndaj aktvendimit të gjykatës.

Në anën tjetër, në seancën e parafundit M.B ka treguar se mbrojtësi i të pandehurit F.D, avokati Ndrecë Dodaj, i ka akuzuar që kanë marrë para për gjak të të ndjerit.

“Se unë s’marr pare për fëmijë temin, s’e shes gjakun me pare. E avokati duhet të më jep përgjegjësi, kush ka marr pare duhet me m’i qit në tavolinë” – ka thënë ajo.

KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin Ndrecë Dodaj dhe i njëjti e ka mohuar se ka thënë që kjo familje ka marrë para për gjak të të ndjerit.

“S’është e vërtetë, krejt çka kam fol unë gjenden në shkresa të lëndës, mundeni me shku m’i vërtetu te gjyqtarja… Këto janë rrena krejt” – është përgjigjur Dodaj për KALLXO.com.

Avokati Dodaj, nuk ka pranuar ta komentojë aktvendimin e gjykatës para se të publikohet arsyetimi i vendimit.

Ngjarjen se si kishte përfunduar i vdekur djali i saj, M.B e ka rrëfyer për KALLXO.com dhe ajo pretendon se ka ndodhur për shkak se djali i saj V.B ka pasur lidhje me motrën e të pandehurit F.D.

M.B ka vazhduar rrëfimin duke thënë se, lidhja e tyre kur ishte kuptuar nga M.D, babai i vajzës, më pas e kishte ftuar nëpërmes një ndërmjetësuesi të birin e saj, i cili ishte marrë nga puna e tij dhe ishte dërguar në oborrin e shtëpisë së M.D, aty ku V.B ishte sulmuar.

Sipas M.B, atë ditë kishin pasur në plan ta vrasin djalin e saj, mirëpo ndërmjetësuesi ka ndërhyrë dhe e ka tërhequr revolen nga duart e tyre.

“Mu më ka ardh djali krejt i përgjakun në shpi. Thash – çka u bo mam, çka u bo. Tha – filani më rrehi që kam qenë në lidhje me çikë tij, më tradhtoj më qoj në oborr të vetin. Krejt fytyrën e ka pas të përgjakun edhe krejt të qarë”, ka shtuar ajo.

Pasi e ka parë në këtë gjendje, ajo ka thënë se ka dashur të shkojë në polici për ta raportuar rastin, mirëpo djemtë e saj nuk e kanë lejuar të shkojë, pasi i kanë kumtuar se janë kërcënuar nga M.D në rast se e raportojnë në polici.

Në ditën kritike, M.D i kishte ftuar prapë dhe këtë herë janë kacafytur në mes vete, ku më pas ka rezultuar me vdekjen e të ndjerit.

‘’Atë ditë mu më kanë thirr në punë – e kanë vra V.B, është hala gjallë. Ma kanë pru prej Peje në Prishtinë, kur kam shku djali u kanë pa shenja jete, po ato janë kanë veç pretendime të mjekëve’’ – ka treguar më tej M.B.

M.B duke iu referuar disa pamjeve të ngjarjes së 16 qershorit 2021, të cilat ndodhen në një CD tregon se dy fëmijët e saj, V.B dhe V.B kanë qenë duke ecur në një rrugë në Klinë, përderisa F.D, i cili ka qenë me vëllain e tij R.D, ka gjuajtur me armë në drejtim të tyre.

“Në CD shihen të gjitha, qysh kanë qenë këta tu ecë, fëmijët e mi, qysh s’janë kanë të rrezikum as F.D, as R.D prej fëmijëve të mi. Ata kanë dalë prej makinës automatikisht edhe kanë ngajt mbrapa tyre, V.B i ka pa, i ka thanë V.B shtyju se janë ka dojnë me na vra, ia ka pa revolen në dorë edhe ai (F.D) automatikisht e ka nxjerr revolen edhe mas kreje ja ka dhanë tre plumba” – ka rrëfyer M.B.

Tutje, M.B ka përmendur se ka dhënë deklaratë në hetuesi, të cilëve iu ka dhënë telefonin e saj me dëshmi, biseda të saj me vajzën e M.D.

“As dëshmia ime nuk është shku në gjykatë, kurgjo s’u përmend veç çka kam dhënë aty me fjalë ama dëshmitë që i kam dërgu prej telefonit nuk i kanë qit hiç” – ka thënë M.B.

KALLXO.com e ka pyetur Gjykatën Themelore të Pejës për shqyrtimin apo jo të deklaratës dhe dëshmive të ofruara nga M.B dhe të njëjtit kanë thënë se vlerësimet për provat gjykata do t’i jep në arsyetimin e aktvendimit.

“Vlerësimet lidhur me provat e administruara në shqyrtim gjyqësor, gjykata i jep në arsyetimin e saj në aktgjykimin e përpiluar me shkrim, ndaj të cilit palët e pakënaqura do ta kenë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit të Kosovës” – kanë shkruar në përgjigjen e tyre nga gjykata.

Gjykata Themelore në Pejë ka sqaruar për KALLXO.com aktvendimin, sipas së cilit i pandehuri është shpallur fajtor për dy vepra penale – vrasje dhe armëmbajtje pa autorizim.

“I është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë (15) vjet, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, të njëjtit i është vazhduar masa e paraburgimit pas shpalljes së aktgjykimit si dhe dënim me gjobë në shumë prej 2500 euro” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Pejës.