Ilustrim
14 të vdekur dhe mbi 750 të plagosur nga një shpërthim në një port në Iran
Të paktën 14 persona kanë humbur jetën dhe mbi 750 janë plagosur nga një shpërthim masiv në njërin prej porteve më të rëndësishme të Iranit, sipas mediave shtetërore.
Shpërthimi i dyshuar kimik ndodhi në portin Shahid Rajaee, porti më i madh tregtar i vendit, pranë qytetit jugor Bandar Abbas, në mëngjesin e së shtunës së 26.04.2025.
Shpërthimi theu dritaret dhe çatitë e ndërtesave përreth dhe shkatërroi automjete. Banorët raportuan se ndjenë goditjen deri në 50 km larg.
Autoritetet dërguan helikopterë për të shuar flakët, ndërsa ekipet mjekësore po transportonin të plagosurit drejt spitaleve.
Disa punëtorë janë ende të bllokuar nën çatitë e shembura, dhe “ne po përpiqemi t’i shpëtojmë”, tha një zyrtar për mediat lokale sipas BBC Persian.
Porti Shahid Rajaee është terminali më i madh dhe më i avancuar i Iranit, përmes të cilit kalon pjesa më e madhe e tregtisë detare të vendit.
Ky vend strategjik ndodhet pranë ngushticës së Hormuzit, kanal i rëndësishëm për transportin e naftës.
Porti është gjithashtu rreth 20 km në perëndim të qytetit Bandar Abbas, që është edhe baza kryesore detare e Marinës Iraniane.
Sipas raporteve të mediave shtetërore, dëshmitarët thonë se shpërthimi ndodhi pasi një zjarr përfshiu disa kontejnerë të pa-mbyllur që përmbanin materiale të ndezshme – me shumë gjasë materiale kimike.
Zyrtarë doganorë thanë më pas për televizionin shtetëror se shpërthimi ndoshta ndodhi për shkak të një zjarri që filloi në një depo me materiale të rrezikshme dhe kimike.
Një firmë analitike tha se kontejnerët mund tw kenw pasur karburant të ngurtë për raketa balistike.
Sipas firmës së sigurisë detare Ambrey Intelligence, zjarri kishte ardhur si pasojë e “trajtimeve të papërshtatshme të një ngarkese me karburant të ngurtë që synohej të përdorej për raketat balistike iraniane”.
Kompania shtetërore e prodhimit të naftës e Iranit deklaroi se shpërthimi nuk kishte lidhje me rafineritë, rezervuarët e karburantit apo tubacionet e vendit.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian shprehu “keqardhje dhe ngushëllime” për viktimat. Ai njoftoi nisjen e një hetimi qeveritar.
Shpërthimi ndodhi në të njëjtën kohë që zyrtarë iranianë dhe amerikanë po zhvillonin një raund të tretë bisedimesh në Oman për programin bërthamor të Iranit.
Bisedimet kanë qenë duke u zhvilluar prej disa javësh, derisa administrata e Presidentit Trump kërkon marrëveshje që do t’i ndalonte Iranit zhvillimin e programit bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike. /BBC