Ilustrim

10 mijë palë këpucë i kushtuan Policisë së Kosovës 263 mijë euro, nënshkruhet kontrata

Policia e Kosovës ka nënshkruar kontratën për t’u furnizuar me 10 mijë palë këpucë standarde për zyrtarët e saj.

Kontrata është nënshkruar me kompaninë vendore “Solid” nga Suhareka.

Vlera e parashikuar e kontratës kapte shifrën prej 265 mijë eurove, ndërsa kompania “Solid” ka ofruar çmimin 263 mijë euro.

Kontrata pritet të realizohet brenda tre muajve, ashtu siç është e përcaktuar në dosjen e tenderit.

Policia ka treguar edhe disa prej specifikave të këpucëve: Madhësia do të jetë nga 38 deri në 48, duhet të jenë me lidhëse, model për punë profesionale policore, me nivel të ulët, duhet të kenë të integruar shtresën ortopedike, të jenë me sistem ajrosjeje dhe rezistuese ndaj ujit dhe të kenë ngjyrë të zezë.

Kepucet standarde per Policine e Kosoves, Foto/ Eprokurimi
Këpucët standarde për Policinë e Kosovës, Foto/ E-prokurimi

Tutje, sipas dosjes, lëkura e këpucës duhet të jetë natyrale dhe rezistente ndaj grisjes. Gjithashtu këpucët duhet të kenë garancion gjashtëmujor nga data e dorëzimit te mallit nga kompania.

Gjithashtu secila palë këpucë do të duhej të ishte e paketuar në kuti kartoni origjinal me emrin e prodhuesit, llojin e prodhimit, madhësinë e numrit si dhe deklaratën për mënyrën e mirëmbajtjes.

Për sasinë Policia e Kosovës ka thënë se është e parashikuar vetëm si sasi indikative ndërsa devijimi i lejuar nga sasia totale është plus-minus 30 për qind për artikull apo pjesë.

Në dosjen e publikuar në E-prokurim përmendet fakti se kjo lëndë është ritender për furnizim me këpucë standarde.

Në gjykatën e tenderëve, Organin Shqyrtues të Prokurimit, është një ankesë e cila është realizuar gjatë nëntorit të këtij viti.

Sabit Makiqi ka ushtruar ankesë në OSHP për një tender të Policisë për furnizim me këpucë standarde.

Sipas ankesës, Makiqi ka njoftuar se është ankuar për tenderin i cili është hapur në korrik të këtij viti pikërisht për furnizim me këpucë standarde.

Makiqi është eliminuar për të marrë këtë tender nga Policia e Kosovës. Në bazë të ankesës, Makiqi ka pretenduar se Policia e Kosovës gjatë eliminimit nga gara për këtë tender ka shkelur disa nene të Ligjit për prokurimin publik.

Makiqi pretendoi se Policia shkeli nenin për ekonomicitetin dhe efikasitetin, barazinë në trajtim dhe jodiskriminimin, mjetet për promovimin e transparencës, sekretin afarist, ekzaminimin vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve, kriteret për dhënien e kontratës, aftësinë teknike dhe profesionale.

Ankesa e Makiqit është trajtuar nga ana e ekspertit të OSHP-së ndërsa i është propozuar panelit shqyrtues që ankesa e ankuesit të aprovohet si e bazuar dhe të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës e gjithashtu eksperti kishte rekomanduar që lënda të kthehej në rivlerësim.

 

Shenim: Artikulli është edituar te pjesa e titullit dhe sasisë së këpucëve që ka planifikuar të blejë Policia e Kosovës. Kompania Solid nga Suhareka ka marrë tenderin prej 263 mijë eurove për 10 mijë palë këpucë.