Foto: Doarsa Kica - Xhelili, Facebook

1 vit pas kalimit në LDK, Doarsa Kica - Xhelili zgjidhet nënkryetare e partisë

Emri i Doarsa Kica-Xhelili i është shtuar listës së nënkryetarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të emëruar sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.

Një vit e tre muaj pas aderimit në këtë parti, Kica-Xhelili është emëruar nënkryetare për marrëdhënie me jashtë.

Ajo ka falënderuar kryetarin e partisë, Lumir Abdixhikun, teksa ka thënë se me të kanë besim reciprok për qëllime fisnike.

Kica-Xhelili e ka quajtur LDK-në “familje e natyrshme politike”.

“Kjo histori, pavarësisht që ka rrugë të pabërë ende, e ka një fillim – shtyllë, të ndërtuar mbi besim reciprok në kohë të vështirë, dhe kohërat e vështira gjithmonë zbulojnë karakterin real të një raporti. Ju faleminderit dhe një herë për besimin!” – ka shkruar ajo.

Me mbledhjen e parë të Këshillit të Përgjithshëm, të mbajtur sot, LDK ka përmbyllur procesin zgjedhor të partisë për katër vitet e ardhshme.

Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri e Anton Quni kanë mbetur të pozitën e nënkryetarëve, ndërsa janë shtuar si nënkryetare deputetet Hykmete Bajrami dhe Doarsa Kica-Xhelili.

Doarsa Kica-Xhelili, në shtator të vitit 2022, e zyrtarizoi kalimin e saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës nga Partia Guxo.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës i ishte bashkuar e Iniciativës së Vjosa Osmanit në listën “GUXO”, dhe garoi në listën e LVV-së në zgjedhjet e fundit të mbajtura në vitin 2021.

LDK zgjedh kryesinë dhe nënkryetarët e partisë – Kjo është përbërja