Aktakuza për heroinë, mbrojtja thotë se ishte për posedim e jo shitje

Në gjykimin e Jetmir Kurhaskut, të akuzuar për marihuanë e heroinë, u kërkua që të hudhet aktakuza.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Besnik Haxhijanuzi kundërshtoi aktakuzën e Prokurorisë si të pabazuar dhe i njëjti kërkoi që të ricilësohet vepra me të cilën po ngarkohet klienti i tij.

“Këtu kemi të bëjmë vetëm me posedim të drogës e jo me shitje”- deklaroi avokati Besnik Haxhijanuzi.

Prokurori Ali Uka tha se nuk ka bazë të mjaftueshme për rikualifikim të veprës penale.

Në anën tjetër, gjykatësi Shaqir Zika refuzoi kërkesën për hudhjen e aktakuzën dhe i udhëzoi palët që kanë të drejtën e ankesës në gjykatën e Apelit.

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

Jetmir Kurhasku i akuzuar për blerje e shitje të narkotikëve, në peshë prej 2.32 gram, ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës, afër spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë, Jetmir Kurhaskut gjatë bastisjes nga policia i është gjetur një qese e mbushur me marihuanë dhe tetë qese heroinë.

Aktakuza thotë se edhe në shtëpinë e tij i është gjetur një substancë në formë guri e llojit heroinë.

“Keto veprime kanë ndodhur në prill të këtij viti ku në tërësi janë konfiskuar 1.30 gram marihuanë dhe 1.02 gram heroinë” thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Gjakovës.