Burgu i Dubravës (Ilustrim)

Tentoi të shiste drogë në burg të Dubravës, dënohet i akuzuari

Gjykata e Pejës e ka dënuar me 5 muaj burg dhe 250 euro gjobë Enver Xhakollin, i akuzuar për posedim të 21 mbështjellësve të letrës me 0.3 gram marihuanë.

Sipas aktakuzës, Xhakollit i ishte gjetur substancë narkotike brenda burgut të Dubravës në mars të këtij viti.

Në kohën e kryerjes së veprës, ai ka qenë në vuajtje të dënimit për një vepër tjetër.

Aktakuza thotë se marihuana ishte e destinuar për shitje.

I pandehuri sot e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë.

Me pranimin e fajësisë janë pajtuar prokurorja Sahide Gashi, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Zymber Gecaj, dhe kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha.

Sipas aktgjykimit të shpallur, konfiskohet sasia e substancës narkotike e sekuestruar e cila është urdhëruar të shkatërrohet pas plotfuqishmërisë të aktgjykimit.