Kundërshtohet Vazhdimi i Paraburgimit për të Dyshuarin për Vrasjen e Policit

Gjyqtarja e procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Prishtinë u ka vazhduar edhe për dy muaj  paraburgimin të dyshuarve për vrasjen e policit Shemsi Gashi.

Shemsi Gashi ishte pjesëtar i njësitit të hetimeve i Policisë së Kosovës i cili kishe mbetur i vrarë në rrethana ende të paqarta më 25 mars 2015 në lagjen Mati të Prishtinës.

Lidhur me këtë vrasje më 27 mars ishin arrestuar katër të afërmit e policit Gashi,  R. Gashi, M. Gashi, A. Gashi dhe A. Gashi. Po ashtu për këtë vrasje ishin arrestuar edhe Vesel Gj. dhe Kujtim B.

Haxhi Millaku – avokat mbrojtës i të dyshuarit A. Gashit kundërshton vazhdimin e paraburgimit ndaj klientit të tij.

“Më datën 21.08.2015 kam pranuar propozimin së bashku me aktvendim të gjykatës për vazhdim të paraburgimit edhe për Agron Gashin, kam paraqitur menjëherë ankesën sepse afati ligjor është shumë i shpejt brenda 24 ore. Propozimi i prokurorisë më ka çuditur sepse nuk i përmbushë standardet ligjore dhe kriteret”, tha Millaku.

Avokati Millaku mendon se arsyeja pse i mbrojturi i tij është në paraburgim është se ai është vëllai i dy të dyshuarve tjerë.

Ai tha se nuk qëndrojnë më arsyet për vazhdimin e paraburgimit.

“Mbrojtjen e kanë paraqit dhe të gjitha provat dhe dëshmitë janë kompletuar dhe në fakt janë përfunduar hetimet për këtë çështje edhe pse prokurorja vazhdon dhe në mënyrë të padrejtë e njofton kinse gjykatën se nuk i ka dëgjuar të dyshuarit e në realitet nga java e kaluar janë dëgjuar komplet gjithë të dyshuarit, janë dëgjuar edhe dëshmitarët të cilët janë paraqitur në këtë çështje dhe vetëm rezultat i kësaj është një ekzaminim që thotë prokuroria se jam duke e pritur prej institucioneve të autorizuara”, tha avokati Millaku.

Avokati Haxhi Millaku shpreson se një vendimin i drejtë për klientin e tij do të merret nga  Gjykata e Apelit edhe pse është skeptik.