Pamje nga shfaqja ‘Culb Albania’. Foto: TKK.

Pas rreth 6 muajve, Teatri Kombëtar i Kosovës kthehet me shfaqje në një skenë të re

Të hënën e 28 nëntorit, Teatri Kombëtar i Kosovës ka shfaqur premierën e komedisë “Club Albania” me regji të Fatos Berishës.

Shfaqja u dha në Amfiteatrin e Pallatit të Rinës në Prishtinë, ku TKK- do të japë shfaqjet deri në renovim të objektit të tij.

E dramatizuar nga Shpëtim Selmani, shfaqja “Club Albania” tregon për një trupë teatrore e cila nis provat për realizmin e shfaqjes “Pas vdekjes” të Çajupit. Por, idetë e regjisorit, gjendja emocionale e trupës, egot e mosmarrëveshjet e bëjnë të parealizueshme shfaqjen.

E mbushur me fjalë e shprehje të “pista”, me skena komike e shpotitëse, komedia “Club Albania” shpërfaq ‘lodhjen’ që ka kapluar shoqërisë kosovare, që më së miri tregohet përmes një shfaqje teatri.

Përmes lojës së aktorëve, Armond Morina, i rikthyer pas më shumë se një dekade në skenë e TKK-së, Teuta Krasniqi, Ard Islami, Armend Smajli, Maylinda Kosumoviç, Naim Berisha e Ylber Bardhi, regjisori Berisha e autori i komedisë Selmani më së miri e zbërthejnë pyetjen e Çajupit se rreth trashëgimisë së lënë pas.

E për ekipin e shfaqjes, premiera është rrumbullakësim i një punë që nuk përmbyllet pa sfida.

Aktorja Teuta Krasniqi, pjesë e shfaqjes e që nga regjisori është caktuar të luajë rolin e zonjë Lulushes,  tha për KALLXO.om se sfiduese për ekipin e shfaqjes ishte skena e re.

“Por, gjithçka u tejkalua me punën e regjisorit dhe përkushtimin e ekipit të shfaqjes, pasi konceptori i shfaqjes në shfaqje nuk është i lehtë për aktorët, sepse sfidohen prej transformimeve dhe kjo shfaqje kishte transformime”- tha ajo për KALLXO.com.

Regjisori Fadil Hysaj tha për KALLLXO.com se me shfaqjen “Culb Albania”, TKK ka nisur edhe një renovim artistik të tij. Hysaj thotë të se kjo komedi ka një qasje të guximshme, modeste në të njëjtën kohë edhe kreative, siç thotë ai, një format që i ka munguar shumë komedisë shqiptare.

“Shfaqja provokon me një humor intelektual që na detyron me mendu sa jemi patetikë, jo vetëm në çështjeve të mëdha të shtetit e shoqërisë, por dhe ndaj vetës sonë. Ndoshta, pyetjen e Çajupit, Shpetim Selmani e ka  lexuar në mënyrë maestrale, se sa jemi ne të preokupuar me atë se çfarë trashëgime lëmë prapa” – thotë Hysaj për KALLXO.com.

Sipas tij, “Culb Albania” është një vepër e krijuar nga Selmani dhe emri i tij duhet të figurojë, jo si dramaturg, por si autor i saj.

Ndërkaq, Vedat Haxhiislami, aktor, tha për KALLXO.com se shfaqja e dha mesazhin e saj tek publiku.

“Është një shfaqje që thumbon realitetin tonë, ka pas sarkazëm, satirë por edhe mesazhe të mira dhe gjithmonë në kërkim të dilemës se si do të kujtohemi pas nuk do të jemi më” – thotë ai.

 

Pamje nga shfaqja ‘Culb Albania’. Foto: TKK.
Pamje nga shfaqja ‘Culb Albania’. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga shfaqja ‘Culb Albania’. Foto: KALLXO.com.