Pamje nga shfaqja ‘Gjuetaret e Artemidës’. Foto: ‘Artpolis’

Shfaqja kosovare prezantohet në festivalin ‘Arts & Human Rights’ në Beograd

Qendra për Art dhe Komunitet, “Artpolis” do të marrë pjesë në festivalin “Arts & Human Rights” me performancën skenike “Gjuetarët e Artemidës”.

Ky festival, që organizohet nga Teatri DAH në Beograd të Serbisë, mbahet nga data 24 deri më 27 shkurt 2022. Festivali bën bashkë artistë dhe aktivistë nga mbarë bota.

Qendra “Artpolis”, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se performanca “Gjuetarët e Artemidës” do të shfaqet para publikut në Serbi më 25 shkurt 2022, nga ora 20:00 në “Dorcol Platz”.

Performanca “Gjuetarët e Artemidës”, me regji të Zana Hoxhës është dhënë premierë në 2020-ën në festivalin “Etno Fest” në fshatin Kukaj të Prishtinës.

Inspirimi për realizimin e kësaj shfaqje, siç thuhet në njoftim, mbështetet në natyrën dhe bukuritë e fshatit prishtinas.

Në shfaqje interpretojnë: Aurita Agushi, Kaltrinë Zeneli, Donikë Ahmeti, Daniela Markaj, Qendresa Kajtazi, Hajat Toçilla e Fitore Jashari. Koroegrafia është bërë nga Robert Nuha, muzikë nga Arbër Salihu, kurse kostumografi nga Arbnor Brahimi.

Festivali “Arts & Human Rights”, është një platformë për të prezantuar ide dhe koncepte që vënë në pah dhe ndërlidhin artin me të drejtat e njeriut, duke avokuar për respektimin e të drejtave të njeriut.

Pjesë e këtij festivali, këtë vit janë individ dhe organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatën “Artpolis” nga Kosova, përmes së cilave synohet rigjallërimi i komuniteteve dhe ndërlidhja e dallimeve.

Në njoftim thuhet se artistë dhe aktivistë nga Spanja, Izraeli, Mali i Zi, Kosova, Irlanda, Irani Belgjika e Brazili, gjatë këtij festivali do të diskutojnë, prezantojnë e performojnë përmes veprave të tyre artistike.