Guximi përmes artit, ‘FemArt’ me program special në edicionin e 11-të

Me moton “Kalle tutën” nga  15 deri më 21 maj 2023 do të mbahet edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve, “FemArt”.

Festivali “FemArt” organizohet nga Qendra për Arte dhe Komunitet, “Artpolis” dhe hapet me shfaqje “Fefu dhe shoqet e saj” më 15 maj nga ora 20:00 në Menzën “Ramiz Sadiku”.

“Artpolis” ka bërë të ditur se edicioni i sivjetëm i ‘FemArt” do të mbahet në Prishtinë dhe Mitrovicë.

“’Kalle tutën’ vjen si thirrje për të flakur tutje tutën, me i dhënë mundësi të resë, guximit dhe dashnisë që të lindë. Guximi është parakusht që të mposhtim frikën. Për shumë gjatë na mësuan të heshtim, është koha të guxojmë të flasim. Do të flasim dhe do të kallim tutën guximshëm e me dashni edhe në edicionin e 11-të të Festivalit ‘FemArt’”- thuhet në njoftimin e qendrës “Artpolis”.

Festivali “FemArt, që për qëllim ka fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, këtë edicion do të sjellë një program të larmishëm me shfaqja teatrore nga vende të ndryshme, performanca artistike, koncertet e aktivitete tjera.

“’FemArt” sjellë në Bibliotekën Kombëtare konferencën “Kalle Tutën: Një Konferencë për Jetesë të Guximshme”, që bën bashkë artiste/ë, aktiviste/ë dhe personalitete të shquara në këto panele diskutimi: “Përtej paragjykimeve: Fuqizimi i grave për të tejkaluar stereotipet në vendimmarrje në art dhe në kulturë”, “Paqja dhe siguria: Kapërcimi i frikës dhe ndërtimi i komuniteteve të qëndrueshme”, “Thyerja e stigmës: Shëndeti mendor dhe mirëqenia në kohë sfiduese”- thuhet në njoftim.

Pjesë e Festivalit është edhe filmi “Vera andrron detin” nga Kaltrina Krasniqi, i cili shoqërohet me një panel diskutimi në mes artisteve që e krijuan filmin dhe publikut në Kino Armata.

Edicioni i 11-të do të përmbyllet me koncertin e grupit nga Vjena “Rina Kaçinari Trio”, në përbërje të Rina Kaçinarit, Carles Munoz Camarero dhe Jorg Mikula, me mysafir special Kori i grave “Okarina”.