Marshi “Boll Ma! Abuzimi nuk fshehet brenda mureve” – kundër abuzimit të grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara i organizuar nga OJQ "Artpolis"

Nën pëlhurat e bardha protestohet kundër abuzimit ndaj grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara

Me dhjetëra persona të veshur me pëlhura të bardha u grumbulluan sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë në marshin “Boll Ma! Abuzimi nuk fshehet brenda mureve” – kundër abuzimit ndaj grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara.

Ky marsh u organizua nga Organizata Joqeveritare “ArtPolis” në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore.

Marshi “Boll Ma! Abuzimi nuk fshehet brenda mureve” – kundër abuzimit të grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara i organizuar nga OJQ “Artpolis”. FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com

Venera Ismaili, zyrtare e projekteve në këtë OJQ shpjegoi se këtë vit marshi i dedikohet personave me aftësi të kufizuara.

“Ideja e marshit është që të protestojmë në heshtje ndaj abuzimeve që u bëhen grave dhe vajzave në baza ditore për shkak se edhe ato janë cak i abuzimeve seksuale, ekonomike, shëndetësore dhe thjesht ato nuk raportojnë dhe nuk kanë mundësi për shumë arsye të ndryshme” – shpjegoi Ismaili.

Ajo sqaroi se arsyeja që pjesmarrësit e këtij marshi kishin veshur pëlhura të bardha ishte që të përçohej solidaritetit dhe e kërkesa për drejtësi.

“Këto veshje thjesht kanë qëllim që të bëhen të dukshme, por ngjyra e bardhë është ngjyra e solidaritetit dhe e kërkesës për drejtësi”- vijoi ajo.

Nga sheshi “Zahir Pajaziti” ky marsh vazhdoi deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovësë ku Resmie Rrahmani, themeluese e Organizatës së Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës – OPDMK tha se “Boll Ma!…” është një thirrje për të ndaluar abuzimin ndaj grave brenda e jashtë mureve, në hapësira publike e private.

“Mos raportimi, heshtja dhe fshehja e rasteve riprodhon strukturat e patriarkatit” – u shpreh ajo derisa theksoi edhe numrin e grave dhe vajzave që gjatë këtij viti kanë qenë viktima të dhunës në familje.

“Heshtja nuk është zgjidhje. Nga 2273 raste të dhunës në familje sivjet, 1897 raste janë ndaj grave e vajzave. Prandaj, ne duhet ta raportojmë dhunën, kurse institucionet ta luftojnë atë” – vijoi ajo.

Po ashtu, përmes pankartave me mbishkrime të ndryshme pjesmarrësit e këtij marshi bënin thirrje për një jetë pa aubzime e diskriminime.

FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com