Foto: KALLXO.com

“Poezi dhe Fuqi”, iniciativa artistike që mblodhi fonde për tri gra të prekura nga vërshimet

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

_____________________________________________________________________________

“Poezi dhe Fuqi” është iniciativa artistike, e cila sonte përmes artit të poezisë, këngës dhe përcjelljes koreografike, mblodhi fonde për tri kryefamiljare të prekura nga vërshimet në komunën e Klinës, Skenderajt dhe Mitrovicës.

Komuniteti i artistëve “Artpolis” përmes formave krijuese interpretoi për publikun, “poezinë dhe fuqinë” e bëri “binom” të një ndihme simbolike për tri gratë e prekura nga vërshimet.

Organizatorja e kësaj fushate sensibilizuese, Zana Hoxha, bëri të ditur që jo rastësisht e kanë përzgjedhur këtë ditë.

“Me poezi për fuqi e shënojmë ditën ndërkombëtare të gruas me poete dhe poetë”- tha ajo.

Tutje shtoi se dita e grave dhe nënave nuk duhet të jetë vetëm 8 Marsi sepse çdo ditë është fuqi për to.

“Jemi mbledhur sot në nivel që do të na fuqizojë fuqimisht, që çdo javë është ditë e jona dhe jo vetëm 8 Marsi”- u shpreh Zana Hoxha.

“Dua që kjo mbrëmje të na bëjë të mendojmë dhe reflektojmë për të gjitha nënat dhe gratë që na kanë bërë të jemi këto që jemi, shumë gra kanë bërë shumë që të tjerat të jenë të lira pra sonte ne nuk kemi frikë”- theksoi ajo.

Aktiviteti artistik vazhdoi me disa panele poetësh, aktorësh, këngëtarësh nën moton se poezia bën fuqi dhe konkretizon zgjidhje problemesh.

Në këtë mbrëmje edhe krijuesja Sibel Halimi interpretoi një poezi të saj.

Arbër Selmani me stuhinë e figurativizuar ndaj “burrit” pasqyroi rolin e patriarkatit në shoqëri, të bëmat, sistemin e funksionimit dhe organizmit të jetës së gruas nën “rrënojat e urdhrave të prera” në kornizën e konservuar nga rregulla të qejfeve vetëm të njërës palë.

Poeti Shpëtim Selmani shpërfaqi vuajtjen e shqiptarëve dhe problemet që ende vazhdojnë t’i kenë, probleme këto të cilat i shndërroi në “oazë” që mbushin jetën me dinjitet pavarësisht situatave dhe vështirësive të përditshmërisë.

Gili Hoxhaj përmes poezisë “strukjen” e gruas e shprehu si sakrificë.

Pjesë e trupës së “Artpolis” ishin regjisorja Zana Hoxha, koreografi Robert Nuha, aktori dhe dramaturgu Shpëtim Selmani, si dhe aktorët: Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Qëndresa Kajtazi dhe Zhaneta Xhemajli.

Artistët që interpretuan ishin: Meli Qena, Igballe Qena, Shkelzen Veseli, Denis Galushi, Anisa Ismaili, Fatmir Menekshe, Neri Ferizi, Mila Mihajloviq, Aleksandra Joviçiq, dhe Donato Giuliani.