Sot nis edicioni i 11-të i ‘FemArt’

Me shfaqjen e premierës teatrore “Fefu dhe shoqet e saj”, me regji të Arlinda Morinës – Likit, do të nis sot edicioni i 11-të i Festivalit ‘FemArt”. Festivali hapet në ora 20:00 në Menzën Ramiz Sadiku në Prishtinë.

Me moton “Kalle tutën”, edicioni i sivjetëm i këtij festivali do të mbahet në Prishtinë dhe në Mitrovicë.

Festivali “FemArt”, që për qëllim ka fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, këtë edicion do të sjellë një program të larmishëm me shfaqje teatrore nga vende të ndryshme, performanca artistike, koncerte e aktivitete tjera.

Festivali “FemArt” organizohet nga Qendra “Artpolis”.

Edicioni i 11-të i ‘FemArt” do të përmbyllet më 21 maj (2023), me koncertin e grupit nga Vjena “Rina Kaçinari Trio”, në përbërje të Rina Kaçinarit, Carles Munoz Camarero dhe Jorg Mikula, me mysafir special Kori i grave “Okarina”.