Punëtorët e Ministrisë së Kulturës ashpërsojnë protestat kundër largimit nga objekti

Punëtorët e Ministrisë së Kulturës janë të vendosur që të mos tërhiqen nga kërkesat e tyre për t`u larguar nga objekti aktual.

Ata do të përdorin të gjitha mjetet demokratike për të mos lejuar zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës që objekti aktual ku aktualisht është vendosur MKRS t’i kalojë në shfrytëzim Presidencës.

Këtë qëndrim punëtorët kësaj ministrie e shprehën edhe sot gjatë protestës së dytë.

Shpenzimi marramendës i parasë publike, 41 mijë euro në muaj për pagesën e qirasë për një objekt që nuk i plotëson nevojat e një institucioni siç është MKRS dhe investimi me miliona euro për renovimin e objekti për Zyrën e Presidencës duket i pa logjikshme për punëtorët e këtij institucioni.

Përfaqësuesit e punëtorëve të MKRS ka thënë se ata kundërshtojnë vendosjen në një objekt privat, i cili do të gëlltitë mjete të mëdha financiare.

Bislim Bislimi, përfaqësues i Sindikatës së punëtorëve të kësaj ministrie ka thënë para gazetarëve gjatë protestës së sindikalistët kundërshtojnë vendimin pasi e rendon buxhetin publik.

“Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Administratës Publike kanë nxjerrë vendimin që nga ky objekt të zhvendosen Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Kulturës dhe të dy ministrisë të vendosen në objekte privat ku do të paguhen qira jashtëzakonisht të larta dhe në këtë objekt të vendoset Zyra e Presidencës, paraprirë me një renovim që do të kushtojë 15 milionë euro. Ne e kundërshtojmë fuqishëm këtë proces, në radhë të parë për qëllimin e tij dhe për mënyrën se si është proceduar deri më tani”, ka thënë Bislimi para mediave.

Bislimi ka bërë të ditur se do të nënshkruhet edhe një peticion nga punëtorët i cili do t`u dërgohet institucioneve përgjegjëse.

Pas disa minutash proteste punëtorët e MKRS janë kthyer në vendin e punës por sindikalistët kanë bërë të ditur se protesta do të vazhdojë për çdo ditë në ora 10:00 për të kundërshtuar vendimin për largim nga objekti.