Pamje nga promovimi i librave të Driton Gashit. Foto: KALLXO.com.

Promovohen dy libra të publicistit Driton Gashi

Publicisti Driton Gashi ka promovuar të premten dy librat e fundit të tij, “Sapere Aude” dhe “Me shqiponjën dykrenare në Ruhrpott” (në gjuhën gjermane), në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Librat trajtojnë çështje të ndryshme për mërgatën shqiptare në Gjermani, por edhe problematikat, hulumtime për mërgatën e reagime në mbrojtje të Kosovës.

Gjatë këtij promovimi, Driton Gashi, jurist e pedagog i dëshmuar në Gjermani, është vlerësuar nga studiues e publicistë për kontributin e tij në mërgatën shqiptare.

Publicisti Nuhi Bytyçi, duke folur për librin “Sapere Aude” tha se Gashi, jo vetëm që shkruan për mërgatën shqiptare, por edhe demaskon me fakte dezinformuesit kundër UÇK-së.

“Gashi nuk heshtë ndaj atyre që njollosin luftëtarët e UÇK-së, të cilët me NATO-n janë më meritorët për lirinë e Kosovës. Atij i pengon heshtja institucionale ndaj këtyre sulmeve”, tha Bytyçi.

Nga një fjalë rasti për shkrimet e Gashit thanë edhe Don Lush Gjergji, Hamëz Halabaku e Rifat Hamiti.

“Urojmë që Dritoni të jetë dritë për të ilustruar të kaluarën, e frymëzim për të ardhmen tonë”, tha Don Lush Gjergji.

Shkrimtari Hamëz Halabaku tha se publicisti Driton Gashi është në sofrën e parë të publicistëve shqiptarë në diasporë e Kosovë.

Kurse, Rifat Hamiti tha se me kontributin e tij Gashi po nderon shqiptarët në diasporë.

Në fund ka folur autori i librave të promovuar Driton Gashi.

“Jeta është një sfidë e vazhdueshëm për të mbajtur një emër dhe një pasur artistike të lënë pas”, tha ai.

Përveç si autor librash, Gashi është sprovuar edhe si një këngëtar i talentuar. Ai gjatë promovimit interpretoi dy këngët shqipe.

Pamje nga promovimi i librave të Driton Gashit. Foto: KALLXO.com.

 

Pamje nga promovimi i librave të Driton Gashit. Foto: KALLXO.com.

 

Pamje nga promovimi i librave të Driton Gashit. Foto: KALLXO.com.