Kalaja e Novobërdes. Foto: Kallxo.com

Prokuroria e Gjilanit ka nisur hetimet rreth renovimit të Kalasë së Novobërdës nga kompania serbe

Prokuroria e Gjilanit ka nisur hetimet për rastin e renovimit të Kalasë së Novobërdës nga firma serbe “Koto”.

Hetimet e Prokurorisë së Gjilanit për këtë rast kanë nisur pas kallëzimit penal që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka paraqitur në Prokurorinë e Gjilanit, pas raportimeve se firma serbe kishte bërë renovimin e mureve të Kalasë jashtë çdo standardi të lejuar për restaurim të trashëgimisë monumentale.

Zyrtarë të Prokurorisë së Gjilanit kanë konfirmuar për KALLXO.com se Prokuroria ka autorizuar Policinë për grumbullimin e provave.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm, më 18 shtator 2019, ka pranuar rastin në fjalë, me ç’rast ka autorizuar Policinë që të grumbullojë prova apo informata tjera, me qëllim të ndriçimit të kësaj çështje”, ka thënë për KALLXO.com, Liridona Xheladini, zyrtare për Informim dhe Monitorim të Medieve në Prokurorinë e Gjilanit.

MKRS më 6 shtator 2019 përmes një komunikate bëri të ditur se ka paraqitur kallëzim penal kundër Srgjan Gjorgjeviq me banim në Novobërdë dhe kundër kompanisë “KOTO” nga Serbia, e kontraktuar për realizimin e punimeve në projektin e revitalizimit të Kalasë së Novobërdës.

“Kallëzimi penal ndaj të sipërpërmendurve është bërë sepse ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të dyshuarit kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë, ku Srgjan Gjorgjeviq duke vepruar në emër të kompanisë “Koto” në cilësinë e mbikëqyrësit të Projektit për Revitalizimin e Kalasë së Artanës (Novobërdës) ka kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”, kurse kompania “Koto” mban përgjegjësi për veprën penale në cilësinë e personit juridik”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e MKRS për rastin.

Në fillim të muajit shtator 2019, punëtorë të firmës serbe “Koto” kishin përdorur një buldozer për të gërryer fasadën e mureve të Kalasë në mënyrë krejt të paligjshme, rast i cili ishte raportuar menjëherë nga punëtorë të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Pas kësaj, IKMM kishte urdhëruar ndërprerje e punimeve deri në sqarimin e plotë të situatës me zyrën e UNESCO-s në Sarajevë , e cila edhe është bartëse e projektit dhe përzgjedhjes së firmës “Koto” për kryerjen e punimeve për restaurimit të mureve të Kalasë së Novobërdës.

Restaurimi i mureve të Kalasë kishte nisur më 2015 me mbështetje financiare të Këshillit të Europës (KE).

KE mbështeti projektin me 1.1 milion euro, të cilat pastaj iu deleguan UNESCO, zyrës për Europën Juglindore në Sarajevë.

Hartimi i projektit për konservim-restaurim është bërë nga kompania kroate “Omega Engineering”, ndërsa punët ishin kryer nga firma beogradase “Koto”. Të dy kompanitë janë përzgjedhur nga UNESCO.

Por në mars të këtij viti ishin raportuar se pjesë të fasadës së mureve të rinovuar nga “Koto” kishin rënë dhe pas kësaj i ishte kërkuar punëkryesit “Koto” të rikthehet për sanimin e dëmtimeve.

Në korrik të këtij viti, IKMM, i cili nga mesi i këtij viti mbikëqyr punimet në Kala, kishte aprovuar lejen për ripunime nga “Koto”.