Shfaqja e filmit ‘Bekim Fehmiu’ në Kino ABC. Foto: KALLXO.com.

Pas Tiranës e Prizrenit shfaqet edhe në Prishtinë dokumentari për Bekim Fehmiun

Film dokumentar “Bekim Fehmiu”, me skenar të Fahri Musliut e regji të Valim Tertinit, është shfaqur sot në Prishtinë.

Filmi pasqyron jetën e aktorit Bekim Fehmiu që nga lindja në Sarajevë më 1936 deri te vdekja në Beograd në vitin 2010.

Përmes intervistave me kineastë të njohur botërorë e shqiptarë e skenave të shkurta të filmave ku ka luajtur Fehmiu, dëshmohet se filmi “Bekim Fehmiu” është një prej dokumentarëve më të plotë rreth jetës dhe krijimtarisë kinematografike të Bekim Fehmiut.

Shfaqja e filmit u përcoll edhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkëshortja e Bekim Fehmiut, Branka Petriq e stafi realizues i filmit, të cilët mbajtën edhe nga një fjalë rasti.

Përparim Rama tha gjatë fjalës së tij se ekipi realizues i filmit “Bekim Fehmiu” ka bërë një punë kolosale duke sjellë historinë e një prej figurave më të njohura të kinematografisë shqiptare, jugosllave dhe botërore.

Rama tha se historia e Bekim Fehmiut është më shumë se odise e suksesshme kinematografike dhe një dëshmi e artit për të kapërcyer hendeqet sado të mëdha që janë. “Trashëgimi që ai na la nëpërmjet jetës dhe veprës shërben si një kujtesë se arti është një forcë përbashkuese që ngrihet mbi gjitha politikat përçarëse”- tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Bashkëshortja e Bekim Fehmiut, aktorja Branka Petriq, tha gjatë fjalës së saj se hapësira e Kino ABC ishin vend i preferuar i aktorit të madh. “Jam e lumtur se një pjesë e familjes së Bekimit (nga babai) ndodhet këtu, shpresoj se do  t’ju pëlqejë ky film dhe puna e bërë nga ekipi realizues, të mbeteni të kënaqur nga ajo që do të shihni përmes këtij projeksioni”- tha Petriq.

Ndërkaq, regjisori i filmit “Bekim Fehmiu”,  Valmir Tertini tha se realizimi i filmit është përcjellë me sfida të ndryshme, siç tha ai edhe për mungesë edhe të mbështetjes financiare nga institucionet kosovare.  “Ne deshëm të nisnim xhirimet në vitin 2019, po mosfinancimi nga Qendra Kinematografike dhe Ministria e Kulturës shtyu realizimin e dokumentarit. Megjithatë ndihem mirë që me mbështetjen e kryetarit të Rama arritëm ta sjellim Bekim Fehmiun në Prishtinë”- ka thënë regjisori Tertini.

Skenaristi i filmit, Fahri Musliu, tha se merita kryesore për realizimin e këtij filmi i takon regjisorit Tertini. “Realizimi i këtij filmi ishte me përgjegjësi të madhe, por falë përkushtimit të ekipit është arritur të bëhet një punë e mirë”- ka thënë Musliu.

Një falë rasti ka mbajtur edhe producenti Jaklid Gace, sipas të cilit prezantimi i tij në Prishtinë ka një domethënie të veçantë. “Bërja e një filmi për Bekim Fehmiun nuk është punë e lehtë”- tha ai.

Shfaqja e filmit ”Bekim Fehmiu” në Kino ABC u mundësua me mbështetjen e Komunës së Prishtinës.

Filmi është shfaqur në Tiranë në muajin shtator dhe në Prizren në tetor.

Ky dokumentar është xhiruar në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë.

Bekim Fehmiu mbeti ndër të vetmit aktorë shqiptarë i cili arriti të luajë në filma dhe seritë më të njohura botërore, sikurse në serinë “Odiseu”, filmat: “Aventurierët”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, etj.

Bekim Fehmiu lindi në Sarajevë (Bosnje dhe Hercegovinë) më 1 qershor 1936, në një familje gjakovare, ndërsa vdiq më 15 qershor 2010 në Beograd (Serbi), duke bërë vetëvrasje, sipas versionit zyrtar.

Shfaqja e filmit ‘Bekim Fehmiu’ në Kino ABC. Foto: KALLXO.com.