
Konkursi i përgjysmuar për mbështetje të projekteve filmike, kineastët me shumë dilema rreth punës së QKK-së
Qendra Kinematografike e Kosovës ka hapur, më 12.12.2024, konkursin për subvencionimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë artistik.
Për dallim nga vitet e kaluara QKK-ja, nuk ka hapur konkurs edhe për kategoritë tjera, si për filma dokumentar, filma metrazhit të shkurtër e të animuar, duke lënë jashtë këtij konkursi këto kategori filmike.
QKK-ja nuk ka bërë të ditur arsyet e këtij konkursi të përgjysmuar e as kur do të hapë konkurset për subvencionit të projekteve filmike të metrazheve tjera (dokumentar, të shkurtër, animuar, debutant, bashkëprodhimet filmike ndërkombëtare, etj.).
Ndërsa, kineastët e kritikët e filmit kanë kritikuar qasjen e QKK-së rreth mbështetjes së projekteve filmike, duke hedhur dyshime edhe rreth menaxhimit të duhur të saj.
Konkursi i hapur për mbështetje të projekteve për film të metrazhit të gjatë, mbetet i hapur deri më 12 janar 2025 dhe procedura e aplikimit bëhet online, përmes faqes zyrtare të QKK-së.
Në njoftimin për hapjen e konkursit për subvencionim të projekteve filmike për film artistik të metrazhit të gjatë, QKK-ja ka renditur kritere që duhet t’i plotësojë një produksion për të qenë pjesë e konkursit.
Të drejtë pjesëmarrje në konkurs kanë personat juridikë, vendas ose të huaj, të regjistruar në Kosovë si subjekte biznesi për prodhimin e filmit dhe të regjistruar në QKK. Ndër të tjerash, konkurruesve u kërkohet edhe plotësimi i testit të kulturës, dhe pagesën prej 100 eurove për aplikim.
KALLXO.com ka pyetur QKK-në lidhur me vendimin për të hapur konkurs vetëm për projektet për film të gjatë artistik dhe kohën e hapjes së konkurseve për mbështetje të projekteve filmike të metrazheve tjera, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.
Dilemat rreth punës së QKK-së
Shkrimtari e kritiku, Reshat Sahitaj ka thënë për KALLXO.com se përkrahja e filmit nga QKK-ja, është një obligim shtetëror, dhe kjo, sipas tij vlen për të gjitha kategoritë. Andaj, ka thënë ai QKK-ja duhet t’ i kushtojë rëndësi mbështetjes së projekteve për filma të shkurtër të kineastëve të rinj.
Sahitaj ka thënë se përmes filmave të shkurtër të zhanreve të ndryshme, kienastët e rinj do të zhvillohen në aspekti profesional.
“Duke i përkrahur ata (regjisorët fillestar), me shumë të vogël, ata arrijnë të tregojnë aftësinë e tyre profesionale. Mendoj që QKK nuk duhet të limtohet vetëm në filma artistik të zhanrit të gjatë, por t’u jepet mundësi dhe shanse edhe regjisorëve të rinj të tregojnë talentin e tyre”- ka thënë Sahitaj, duke treguar edhe rastin e regjisorit boshnjak, Danis Tanoviq, i cili sipas Sahitajt, filimisht kishte treguar veten me një film të shkurtër dokumentar e pastaj e bëri filmin “No man’s Land’ , me të cilin fitoi çmimin “Oscars” në 2002, në kategorinë e filmit të huaj.
Kurse, regjisori Ben Apolloni, problem e sheh hapjen e konkursit nga ana e QKK-së në fund të vitit.
“Nuk do të ishte problem nëse konkursi për projekte të kategorive të ndryshme do të hapen në kohëra të ndryshme. Por është problem që QKK po hap konkurs në fund të vitit, kur tani do të duhej të ishte mbyllur edhe konkursi për herë të dytë (sepse mendoj që QKK duhet të hapë konkurs më shumë se njëherë gjatë vitit)”- ka thënë Apolloni për KALLXO.com.
Apolloni thotë se përkundër premtimeve, QKK-ja nuk po bën ndonjë veprim për stimulimin e zhvillimin e kinematografisë.
“Kam përshtypjen që QKK nuk po ka fat me menaxhment. Ishte keq dikur, nuk është bërë hiç më mirë. Më duket që askujt nuk po i intereson për zhvillimin e kinematografisë në Kosovë, ani pse qeveritarët patën thënë dikur se kinematografia do të ketë prioritet, drejtues e QKK nuk kanë bërë ndonjë veprim për stimulimin e zhvillimin e kinematografisë tonë”- ka thënë regjisori Aoplloni.
Konkursi sipas ligjit
Edhe konkursin e kaluar për mbështetje të projekteve filmike, QKK-ja e kishte hapur në fund të vitit, më 20.12.2023, por, në 12 kategori filmike. Afatin e konkursit e kishte zgjatur për një muaj në janar të 2024.
Ndërsa, rezultatet e konkursit ishin publikuar në qershor 2024.
Sipas Rregullores për konkurset dhe mbështetjen financiare të veprave filmike dhe audio-vizuale, QKK-ja brenda vitit hapë një apo më shumë konkurse. Po sipas saj, në konkurset e QKK-së prioritet kanë veprat filmike dhe audio-vizuale vendase.
QKK-ja mbështet financiarisht deri në 80%, të vlerës për veprat e filmike dhe audio-vizuale vendase të metrazhit të gjatë. Kurse deri në 100% të vlerës se veprave filmike të regjisorëve debutues dhe filmave të metrazhit të shkurtër dhe të mesëm. Kurse, po sipas rregullores vlera e mbështetjes për filmike dhe audio-vizuale të bashkëprodhimit mazhoritar mund të shkojë nga 10% deri në 90%. Kurse, për bashkëprodhimet minoritar mbështetja mund të shkojë nga 5% deri në 20% të buxhetit total të veprës.
Për vitin 2024, QKK-së i është ndarë një shumë prej 1,704,816 euro, kurse për 2025 QKK-ja do të ketë një buxhet prej 2,139,694 euro.