
QKK shpall projektet fituese të konkursit për film të gjatë artistik
Qendra Kinematografike e Kosovës ka shpallur sot, më 20.02.2025, projektet filmike fituese të konkursit të shpallur më 12.12.2024, për mbështetje të projekteve filmike për film të gjatë artistik.
QKK ka njoftuar se nga gjithsej 12 projekte që kishin konkurruar në këtë konkurs, janë përzgjedhur tri projekte.
Projektet e përzgjedhura janë: “Dua” me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, në vlerë prej 340,000.00 euro; “Dua të shkoj sërish në det” me skenar dhe regji të Leart Ramës, në vlerë prej 240,000.00 euro dhe projekti filmik “Gjurmë”, me skenar të Jon Gojanit dhe Rita Krasniqit e regji nga Rita Krasniqi, në vlerë prej 220,000.00 euro.
Sipas njoftimit të QKK-së, juria vlerësuese që ka bërë përzgjedhjen e filmave fitues, sipas konkursit të 12.12.2024 përbëhej nga: Tin Dirdamal, Norika Sefa, Antoneta Kastrati, Thomas Logoreci dhe Alireza Ghasemi dhe komisioni financiar në përbërje të: Ilir Hasanaj, Ujkan Hysaj dhe Virgjina Peja.
Më 12.12.2024, QKK-ja pat hapur thirrjen për subvencionimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë artistik. Për dallim nga vitet e kaluara QKK-ja, nuk ka hapur konkurs edhe për kategoritë tjera, si për filma dokumentar, filma metrazhit të shkurtër e të animuar, duke lënë jashtë këtij konkursi këto kategori filmike.
QKK-ja nuk ka bërë të ditur arsyet e këtij konkursi të përgjysmuar e as kur do të hapë konkurset për subvencionit të projekteve filmike të metrazheve tjera (dokumentar, të shkurtër, animuar, debutant, bashkëprodhimet filmike ndërkombëtare, etj.).
Sipas ligjit për buxhetin për vitin 2025 QKK-ja do të ketë një buxhet prej 2,139,694 euro.