
MKRS. Foto: Isa Vatovci/KALLXO.com.
Hapet thirrja për mbështetje të projekteve kulturore dhe të trashëgimisë për vitin 2025
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur më 24.02.2025 thirrjen për mbështetje të projekteve në art, kulturë dhe trashëgimi kulturore për vitin 2025.
Sipas njoftimit të MKRS-së, qëllim i kësaj thirrje në 5 kategori për Organizata Joqeveritare dhe për individë është “fuqizimi i skenës së pavarur kulturore, rritja e cilësisë së krijimtarisë artistike, identifikimi dhe mbështetja e talentëve të rinj, aktivizimi i tyre në vendimmarrje dhe aktivitete të fushës së artit”. Dhe, siç thuhet më tej në njoftim, “kulturës, rrjetëzimit dhe promovimit të produktit vendor kulturor si produkt konkurrues në tregun ndërkombëtar të industrisë kreative”.
OJQ-të dhe individët, sipas MKRS-së, mund të aplikojnë në njërën nga kategoritë e mëposhtme.
Në kategorinë e parë, MKRS ofron mbështetje organizative për organizatat me programe deri në tre vjet për zhvillim organizativ dhe programor për OJQ-të e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Sipas MKRS-së, shuma maksimale e mbështetjes vjetore për përfituesit është 100,000 euro, kurse minimalja 50,000 euro.
Shtrirja e mbështetjes trevjeçare për përfituesit e kësaj kategorie:
2025 – 50,000.000 euro deri në 100,000.00 euro.
2026 – 50,000.000 euro deri në 100,000.00 euro.
2027 – 50,000.000 euro deri në 100,000.00 euro.
Në kategorinë e dytë do të mbështeten organizimet tradicionale në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore me program deri në tre vjet për zhvillimin e ngjarjeve përkatëse. Shuma e mbështetjes mund ta arrijë deri në 40,000 euro.
Shtrirja e mbështetjes trevjeçare për përfituesit e kësaj kategorie:
2025 – deri në 40,000.00 euro.
2026 – deri në 40,000.00 euro.
2027 – deri në 40,000.00 euro.
Në kategorinë e tretë, MKRS planifikon të mbështesë projektet njëvjeçare dhe organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Shuma maksimale e mbështetjes vjetore për përfituesit do të jetë deri në 40,000 euro.
Në kategorinë e katërt, sipas njoftimit të MKRS-së, do të përfshihen projektet dhe ngjarjet e njëhershme në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, për OJQ-të dhe individët dhe shuma maksimale e mbështetjes së një projekti mund të jetë deri në 20,000 euro.
Ndërsa, në kategorinë e pestë, MKRS do të mbështesë projektet e krijuesve (artistëve) të rinj. Në këtë kategori mund të aplikojnë individët (të rinjtë), studentë apo të sapodiplomuar në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, artistë të rinj, deri në moshën 30 vjeçare. Shuma maksimale e mbështetjes së një projekti për këtë kategori është 5,000 euro.
OJQ-të dhe individët e kanë afatin për aplikim në këtë thirrje deri më 24 mars 2025.
KËTU mund të gjeni më shumë hollësi për mënyrën e aplikimit, dokumentet e nevojshme dhe periudhën e realizmit të projektit.