
Kino ABC
QKK-ja e merr me qira për 200 euro në muaj Kino ABC-në, synon pronësinë e saj
Nga janari i vitit 2025 Qendra Kinematografike e Kosovës ka marrë me qira Kinemanë ABC (Kino ABC) në Prishtinë.
Marrja e Kino ABC-së nën menaxhim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes QKK-së, është konfirmuar për KALLXO.com nga drejtoresha e kësaj të fundit, Blerta Zeqiri.
Por, MKRS dhe QKK-ja planifikojnë ta marrin në tërësi në pronësi Kinemanë ABC (Kino ABC), duke përfshirë edhe Ndërmarrjen për Distribuimin dhe Shfaqjen e Filmave “Genci”, e cila menaxhonte me KINO ABC-në. NDSHF “Genci” duke përfshirë edhe Kino ABC-në është nën të menaxhim të Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Më 27.12.2024, QKK-ja përmes një njoftimi pati bërë të ditur se në bashkëpunim me MKRS ka marrë në shfrytëzim këtë kinema.
Vendimi për dhënien me qira të Kino ABC-së është marrë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) më 27 dhjetor 2024.
Pas këtij vendimi, më 3 janar 2025, përmes Facebook-ut, Kino ABC njoftoi për ndërpreje të përkohshme të shfaqjes së filmave.
Me Ligji për Kinematografinë i cili ka hyrë në fuqi më 16.07.2023, fusha e kinematografisë është shpalur me interesat të veçantë. Nisur nga ky fakt, po sipas këtij ligji, edhe kinematë publike janë shpallur institucione të interesit të veçantë.
Marrëveshja për qiranë
Drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri ka thënë për KALLXO.com se QKK e ka marrë me qira KINO ABC-në për 200 euro në muaj dhe synon marrje në peronës të NDSHF “Genci”.
“Kinemaja ABC është marrë me qira nga janari i vitit 2025, me një pagesë mujore prej 200 eurosh. Marrëveshja është planifikuar të zgjasë deri në përfundimin e procesit të shpronësimit. Kjo periudhë e qirasë siguron që kinemaja të vazhdojë të funksionojë pa ndërprerje, ndërkohë që punojmë për ta integruar atë plotësisht në pronësi publike, duke garantuar mbrojtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij institucioni të rëndësishëm kulturor”- ka thënë Zeqiri.
Drejtoresha Zeqiri ka thënë se vendimi për marrjen me qira të Kino ABC-së nga QKK-ja marrë më 27.12. 2024 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
“Vendimi bazohet në nenet 4, 7 dhe 8 të Ligjit Nr. 03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, si dhe në Ligjin Nr. 03/L-205 për Ndryshimin dhe Plotësimin e këtij ligji. Pas miratimit të kërkesës së QKK-së për marrjen me qira të kinemasë ABC, prona është transferuar nga administrimi i AKP-së në pronë publike. Ajo do të administrohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) përmes QKK-së, duke mbështetur misionin për zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës kulturore në Kosovë”- ka thënë Zeqiri për KALLXO.com.
Zeqiri ka thënë se rifillimi i punës në kinemanë ABC pritet në muajin shkurt 2025. Zeqiri thotë se, MKRS dhe QKK vlerësuan se ishte e domosdoshme të ndërhyhej për të ruajtur këtë kinema (Kino ABC) si një trashëgimi të çmuar të kulturës kinematografike në Kosovë.
“Ne synojmë që ky institucion i dashur kulturor të vazhdojë të jetë një vend i gjallë për artin dhe kinematografinë, duke i qëndruar besnik traditës së tij si një hapësirë ku audienca e Prishtinës dhe më gjerë mund të shijojë magjinë e filmave”- ka thënë ajo, duke shtuar se QKK do të rikthej në vendet e tyre të punës punëtorët që kanë kontribuar ndër vite në funksionimin e Kino ABC-së.
Ndërsa, marrë në pronësi edhe të NDSHF “Genci”, së bashku me strukturën menaxhuese , Zeqiri e konsideron me rëndësi. Pasi sipas saj, kjo do të mundësojë një administrim më të qëndrueshëm dhe një fokus më të madh në ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore që kinemaja përfaqëson.
“Arsyeja kryesore është rëndësia kulturore dhe historike e kinemasë ABC. Duke marrë parasysh mandatin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për privatizimin e aseteve dhe ndërmarrjeve shoqërore, MKRS dhe QKK vlerësuan se ishte e domosdoshme të ndërhyhej për të ruajtur këtë kinema si një trashëgimi të çmuar të kulturës kinematografike në Kosovë”- ka thënë Zeqiri, drejtoreshë e QKK-së për KALLXO.com.
AKP-ja nuk i është përgjigjur KALLXO.com lidhur me vendimi për dhënien me qira të Kino ABC dhe procesin e kalimit të NDSHF “Genci” në pronësi të MKRS/QKK-së, deri në publikimin e artikullit.
Me Ligji për kinematografinë, neni 4, fusha e kinematografisë është shpallur me interes të veçantë publik. Duke u bazuar në këtë nën të këtij ligji, kinematë publike shpallen gjithashtu institucione me interes të veçantë publik.
“Në raport me kinematë si në paragrafin 1 të këtij neni, (21) të gjitha institucionet që ushtrojnë autoritet publik në Republikën e Kosovës, nuk mund të ndërmarrin veprime në drejtim të: ndërrimit të destinimit; privatizimit”- thuhet në pikën 2, të nenin 21 të Ligjit për Kinematografinë.
Në bazë të këtij ligji, në kuadër të QKK-së parashihet edhe themelimi i njësia e veçantë për menaxhimin e rrjetit të kinemave publike.
Kinemaja ABC, funksionon që nga 24 maji i vitit 2000 dhe që nga ajo kohë e deri më sot, kjo kinema ka shërbyer si urë lidhëse e Kosovës me botën e filmit. Në kinemanë ABC shfaqen filma premierë në bashkëpunim me kompanitë më të njohura holivudiane.
Kjo kinema ishte e para kinema në Kosovë me të drejta të shfaqjes së filmave në formatin 3D dhe atë digjital 2D.