Kalaja e Novobërdes. Foto: Kallxo.com
Firma nga Serbia ‘restauron’ me buldozer Kalanë e Novobërdës - Video
Mbikëqyrësit e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës (IKMM) janë alarmuar në mëngjesin e së hënës së shkuar nga zhurma e një buldozeri, i cili po godiste njërin prej mureve të Kalasë së Novobërdës.
Punëtorët e firmës serbe “Koto” ishin rikthyer atë ditë për të vazhduar punimet për renovim të mureve të kalasë duke përdoru një buldozer.
Një banor i zonës, atë mëngjes kishte filmuar buldozerin duke gërryer muret e kalasë.
Ngjarja është raportuar tek IKMM i cili menjëherë ka ndërprerë punimet që po bëhen në këtë kala nga firma serbe.
Ismet Hajrullahu, drejtori i këtij instituti, ka thënë për KALLXO.com se pas raportimit të rastit është urdhëruar ndërprerja e punimeve, është njoftuar UNESCO dhe si dhe është mbajtur një takim urgjent me përfaqësues të UNESCO-s dhe të firmës restauruese.
Ai tha se deri në një vendim të dytë do të ndërpriten të gjitha punimet në Kalanë e Novobërdës.
“Përgjigja e parë ka ardhur nga UNESCO duke dërguar projektuesin që është një kroat i cili ka bërë projektin. Unë pata nderin të qëndroj gjatë me të edhe sot dhe mbi bazën e informacioneve që kemi, për asnjë moment kompania ‘Koto’ nuk e ka respektuar projekti që e ka projektuar projektuesi kroat”, tha Hajrullahu.
Sipas tij, që nga viti 2015 kur ka filluar restaurimi, punëkryesi nga Serbia ka shkelur të gjitha ligjet e Kosovës por edhe ato ndërkombëtare sa i prektë restaurimeve të tilla.
“Mund të themi se në 2015 janë betonuar me qindra mijëra artefaktet arkeologjike të gjetur gjatë gërmimeve nga kompania ‘Koto’, që është krejtësisht penale. Është krejtësisht vepër penale dhe që atëherë është dashur që të ndërpriten punimet dhe të ndërpritet bashkëpunim me “Koto”, kompaninë serbe”, tha Ismet Hajrullahu.
KALLXO.com nuk ka mundur të kontaktojë me përgjegjësinë kompanisë “Koto”. Ndërsa zyrtarë të Ministrisë së Kulturës nuk janë treguar të gatshëm për sqarime rreth situatës së krijuar pas raportimeve se ‘Koto” po ‘restauron’ me buldozer.
Raportime rreth punimeve jo profesionale në Kalanë e Novobërdës nga institucione dhe ekspertë janë raportuar që në viti 2015.
Kallxo.com ka siguruar raportin e një grupi arkeologësh të cilët në tetor të 2015, kishin bërë një vizitë në kala gjatë restaurimit.
Përveç vërejtjeve sa i përket punimeve dhe materialit të gjetur gjatë gërmimeve me karakter pastrimi, në raport ngrihen shqetësime të shumta sidomos sa i përket restaurimit dhe rindërtimit të mureve të klasë deri në lartësinë 10-12 m, që, siç kolaudohet në raport, nuk ishte në përputhje me kërkesat e restaurimit të monumenteve arkeologjike-historike.
Shqetësim rreth renovimit të Klasë së Novobërdës janë ngritur edhe nga Këshillit i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore.
Restaurimi i mureve të Kalasë së Artanës kishte nisur në 2015 me mbështetje financiare të Këshillit të Evropës prej 1.1 milion eurove të cilat pastaj iu deleguan UNESCO, zyra për Evropën juglindore në Sarajevë. Hartimi i projektit për konservim-restaurim është bërë nga kompania kroate “Omega Engineering”, ndërsa punët ishin kryer nga firma beogradase “Koto”. Të dy kompanitë janë përzgjedhur nga UNESCO.
Por në mars të këtij viti ishin raportuar se pjesë të fasadës së mureve të rinovuar nga “Koto” kishin rënë dhe pas kësaj i ishte kërkuar punë kryesit “Koto” të rikthehet për sanimin e dëmtimeve.
Në korrik të këtij muaji IKMM, i cili nga mesi i këtij viti mbikëqyr punime në Kalanë e Novobërdës, kishte aprovuar lejen për ripunime në Kala nga “Koto”.