Kalaja e Novobërdes. Foto: Kallxo.com

Ministria e Kulturës, kallëzim penal ndaj kompanisë që po e restauron Kalanë e Novobërdes

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka paraqitur kallëzim në Prokurorinë e Gjilanit kundër Srgjan Gjorgjeviq me banim në Novobërdë dhe kompanisë “KOTO” nga Serbia, e kontraktuar për realizimin e punimeve në projektin e revitalizimit të Kalasë së Novobërdes.

Përmes një komunikate, MKRS njofton se kallëzimi penal ndaj tyre është bërë sepse ekziston dyshimi i bazuar mirë se ata kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë, ku Srgjan Gjorgjeviq duke vepruar në emër të kompanisë “Koto” në cilësinë e mbikëqyrësit të Projektit për Revitalizimin e Kalasë së Novobërdës ka kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”, kurse kompania “Koto” mban përgjegjësi për veprën penale në cilësinë e personit juridik.

Sipas ministrisë, kallëzimi penal ndaj të dyshuarve është me arsyetimin se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore pas marrjes së njoftimit lidhur me dëmtimet në Kalanë e Artanës më datë 5 shtator 2019 ka dalë në vendin e ngjarjes, ku pas takimit me mbikqyrësin e kompanisë “Koto” (tani të dyshuarin) e cila po kryen punimet për revitalizimin e Kalasë, ka konstatuar dëmet që i janë shkaktuar mureve të jashtme të Kalasë, si plasaritje të thella të tyre dhe eventualisht ekziston edhe rreziku i shembjes së tërësishme.

“Ky veprim është paraparë si vepër penale sipas ligjit dhe me të drejtë MKRS-ja ka nisur procedurat para vënies para drejtësisë dëmtuesit e trashëgimisë kulturore në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Firma nga Serbia ‘restauron’ me buldozer Kalanë e Novobërdës – Video

“Projekti i revitalizimit të Kalasë së Artanës financohet nga UNESCO dhe kompania fituese ka qenë e obliguar që t’i kryej punimet nën mbikëqyrjen e zyrtarëve profesional të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Më datë 2 shtator 2019 duke mos përfillur obligimet për të njoftuar organin mbikëqyrës e cila është në kundërshtim edhe me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, e ka angazhuar një eskavator dhe ka filluar që t’i rrënoj muret rrethuese të Kalasë”, thuhet ndër të tjerash në komunikatën e MKRS-së.

Me këto veprime të cilat janë në kundërshtim edhe me standardet e ndërhyrjeve konservuese-restauruese në objekte të trashëgimisë kulturore kjo firmë, sipas ministrisë, i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme këtij aseti të trashëgimisë tonë kulturore.

“Pasi që në veprimet e të dyshuarit të përshkruar më lartë qëndrojnë të gjitha elementet e veprës penale Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës, si MKRS i kemi propozuar Prokurorit të Shtetit, që ndaj të dyshuarin të ngrisë Aktakuzë në Gjykatën kompetente me propozim që të dënohet sipas ligjit”, thuhet në Komunikatë e MKRS-së rreth kallëzimit penal të ngritur ndaj kompanisë serbe “Koto” dhe mbikqyrësit Srgjan Gjorgjeviq.