Kalaja e Novobërdes. Foto: Kallxo.com

Zotimet e kandidatëve për kryetar për Kalanë e Novobërdës

Dy kandidatët për kryetarë të Komunës së Novobërdës, të cilët janë të pranishëm në Debat Pernime, kanë folur në lidhje me gjendjen e Kalasë së Novobërdës.

Kandidati për kryetar të Novobërdës, Abdyl Gashi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se ata do të punojnë për të ia kthyer dinjitetin kësaj kalaje.

“Ne kemi paraparë që aty afër kalasë ta vendosim një zyrë të informimit që do të jetë një ciceron profesional për vizitorët të cilët do të vijnë në mënyrë që kalasë dhe bukurive natyrore që i ka dhe lartësinë mbidetare, t’ia kthejmë dinjitetin dhe dhe të tërheqim sa më shumë vizitorë”, tha ai.

Kurse, kandidati tjetër për kryetar të komunës së Novobërdës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajrush Ymeri, ka premtuar se nëse merr mandat do të përkushtohen shumë për Kalanë e Novobërdës.

“Gjendja e kalasë është me e keqe se që ka qenë. Unë ju premtoj qytetarëve se me datën 17 tetor, në momentin kur dalim fitues, ne do të përkushtohemi shumë për këtë çështje dhe do ta kthejmë gjendjen e kalasë, taman siç duhet, ta merr formën e merituar”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Novobërdës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Novobërdës: Abdyl Gashi nga LVV dhe Bajrush Ymeri nga LDK. Në garë për të parin e Novobërdës janë edhe Sasa Milosevic nga Lista Srpska dhe Selatin Nuhiu nga PDK por të njëjtit nuk kanë ardhur në debat.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Novobërdës: Ervenita Isufi dhe Shqipe Mustafa nga LDK dhe Kaltrina Zeqiri dhe Lumturije Salihu Ramadani nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.