Kalaja e Novobërdes. Foto: Kallxo.com

Çka thuhet në aktakuzën e Prokurorisë për dëmtimin e Kalasë së Novobërdës?

Menaxhimi i keq i punëve dhe disa filmime ku shiheshin punëtorët e një kompanie serbe derisa po përdornin buldozerë në mënyrë joprofesionale gjatë punimeve në muret e kalasë së Novobërdës kanë rezultuar me një aktakuzë, e cila është ngritur nga Prokuroria e Gjilanit ndaj Srgjan Gjorgjeviqit dhe kompanisë ‘’Koto’’ nga Serbia.

KALLXO.com sot në mëngjes ka raportuar për ngritjen e aktakuzës ndaj të lartpërmendurve.

Gjithashtu, KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Gjilanit në lidhje me këtë rast.

Sipas aktakuzës, kompania serbe “Koto”, me seli në Beograd, dyshohet se ka kryer dëmtim, shkatërrim dhe nxjerrjen e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës.

Kjo kompani dyshohet se nga 16 korrik deri më 15 shtator të vitit të kaluar ka dëmtuar muret e jashtme të kalasë së Novobërdës duke angazhuar punëtorët që të bëjnë restaurimin e mureve të kalasë, një monument ky i mbrojtur nga institucionet e Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se punëtorët e kompanisë “Koto” kanë kryer dëmtimin me ekskavatorë. Prokuroria pretendon se ky mjet i rëndë ka qenë i papërshtatshëm për kryerjen e punimeve të restaurimit dhe pas përdorimit të tyre kalaja ka pësuar plasaritje të thella, të cilat më pas kanë rrezikuar edhe qëndrueshmërinë e saj.

Srgjan Gjorgjeviq sipas Prokurorisë akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë serbe “Koto” ka angazhuar punëtorët që të ndërmarrin punimet e restaurimit të mureve të kalasë së Novobërdës, kala kjo e mbrojtur nga institucionet e Kosovës.

Edhe Gjorgjeviq akuzohet për dëmtim, shkatërrim dhe nxjerrje të paautorizuar të monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Kosovës.

Në ankesën e Ministrisë së Kulturës të paraqitur në Prokurorinë e Gjilanit thuhet se përfaqësuesi i kompanisë si dhe punëtorët që kanë kryer punimet e restaurimit, i kishin kryer këto punime pa prezencën dhe mbikëqyrjen e zyrtarëve profesionalë të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Sipas Ministrisë, kompania përgjegjëse për restaurimin e kalasë dhe punëtorët e saj kanë shkaktuar dëme të rënda në kala, duke rrezikuar edhe shembjen e tërësishme të mureve që janë plasaritur gjatë kryerjes së punëve me mjete të rënda siç është buldozeri. MKRS kishte vlerësuar se kompania dhe punëtorët nuk e kanë përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore.

Në lidhje me këtë rast kanë dëshmuar pesë persona.

Prokuroria ka thënë në aktakuzë se të pandehurit obligohen që përfaqësuesit të palës së dëmtuar t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar në vlerën të cilën konstaton pala e dëmtuar.

Dëmet që paraqiten nga ana e palës së dëmtuar duhet të jenë të faktuara dhe t’i dërgohen gjykatës.

Sipas njërit nga inspektorët e Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore në Ministrisë së Kulturës së Kosovës, punimet e kryera nga kompania “Koto” kanë qenë të papërfunduara dhe si rrjedhojë e punimeve jocilësore, muret e kalasë janë dëmtuar dhe një pjesë e tyre janë shembur 40-45 për qind të sipërfaqes së murit.

Gjithashtu, sipas dëshmisë së tij, është shembur fasada veriore e kullës së hapësirës prej 20 deri në 30 për qind e sipërfaqes së murit.

Duke parë gjendjen e cila ishte krijuar, sipas inspektorit pas komunikimeve të Ministrisë së Kulturës dhe kompanisë “Omega Enginering” nga Dubrovniku, e cila ka kryer projektin, është marrë një vendim për rehabilitim të kalasë ku kompania serbe “Koto” me seli në Beograd është dashur ta sjellë një projekt-propozim për rehabilitim të kalasë së Novobërdës dhe më pas t’i vazhdojë punimet por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe kompania serbe ka filluar që me ekskavator të bëj demolimin- rrënimin e mureve të kalasë.

Mjetet e forta të cilat janë përdorur në këtë rast janë cilësuar si shkelje e rëndë ndaj standardeve ndërkombëtare.

KALLXO.com ka raportuar se në shtator të vitit 2019, Ministria e Kulturës ka paraqitur kallëzim penal kundër Srgjan Gjorgjeviq me banim në Novobërdë dhe kundër kompanisë “KOTO” nga Serbia, e kontraktuar për realizimin e punimeve në projektin e revitalizimit të kalasë së Novobërdës.

Projekti i revitalizimit të kalasë së Novobërdës financohet nga UNESCO dhe kompania fituese ka qenë e obliguar që t’i kryejë punimet nën mbikëqyrjen e zyrtarëve profesionalë të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

KALLXO.com kishte raportuar edhe për video-incizimet që janë bërë në shtator kur punëtorët e kompanisë “Koto” kishin përdorur ekskavatorët të cilët ndikuan në prishjen dhe demolimin e kalasë së Novobërdës.

Firma nga Serbia ‘restauron’ me buldozer Kalanë e Novobërdës – Video