Ministria e Kulturës, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

Jehona Shyti: Çështje ditësh shpallja e rezultateve për mbështetje të projekteve kulturore 

Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë thënë për Kallxo.com se ministria është duke punuar për shpalljen e rezultateve të konkursit për mbështetje të projekteve kulturore artistike për OJQ dhe individ për vitin 2020. 

Në janar të këtij viti MKRS hapi konkurs-thirrje për ofrimin e mbështetjes financiare publike për projektet kulturore – artistike për OJQ dhe individ, për këtë vit. Por, për shkak të pandemisë së coronavirusit, MKRS ende nuk ka bërë të ditur rezultatet e këtij konkursi. 

Jehona Shyti, drejtoresha e Departamentit të Kulturës në MKRS ka thënë për Kallxo.com se në MKRS janë në përfundim të procesit dhe shumë shpejt do të dalin edhe rezultatet e konkursit (thirrjes) së 28.01.2020, për mbështetjeprojekteve kulturore për 2020. 

“Është çështje ditësh publikimi i rezultateve të konkursit për mështetejeprojekteve të OJQ-ve dhe individëve”, ka thënë drejtoresha Shyti, duke mos dhënë ndonjë datë se kur mund të publikohet lista e projekteve fituese. 

Për këtë vit MKRS-ja ka ndarë 700 mijë euro për mbështetje të projekteve kulturore-artistike të OJQ-ve dhe individëve. 

Mbështetja maksimale që një projekt i OJQ-ve mund të marrë në bazë të konkursit të MKRS për këtë vit është deri në 20,000.00 euro, kurse shuma e mbështetjes financiare për projektet e individëve mund të jetë maksimum deri në 5,000.00 euro. 

Shuma prej 700 mijë euro që MKRS ka ndarë për mbështetjet të projekteve kulturore për 2020 është dukshëm më e vogël në krahasim me shumën financiare që ministria kishte ndarë dy vite më parë. 

Vitin e kaluar MKRS kishte vënë në dispozicione të skenës së pavarur kulturore afërsisht një milion euro, kurse në 2108 rreth 1.5 milion euro.