Botohet një libër për historinë e shkollave në Kosovë mes viteve 1830 - 1912

Numri i shkollave në Kosovë nga viti 1830 deri më 1912 ishte mjaft i madh dhe shumë i larmishëm. Por fatkeqësisht, gjatë kësaj periudhe nuk kishte një shkollë zyrtare në gjuhën shqipe, deri në fillim të shekullit XX, edhe pse pjesa dërmuese e popullsisë së Kosovës në atë kohë ishte shqiptare.

Shkollat kryesisht, ishin shtetërore sipas planprogrameve të shtetit Osman, shkolla me karakter fetar, por nuk munguan edhe ato në gjuhën serbe, të financuara ose nga shteti serb, apo mënyra tjera.

Gjithë historiku i shkollave dhe arsimit gjatë viteve të sipërpërmendura në Kosovës (brenda kufijve të sotëm shtetëror) janë përmbledhur në librin, “Shkollat dhe Arsimi në Kosovë” të Sadik Mehmetit, botuar nga Instituti Albanologjik në Prishtinë.

Libri tregon historinë e zhvillimit të arsimit në Kosovë nga dekada e katër e shekullit të XIX deri në largimin e Perandorisë Osmane nga vendi më 1912.

Sipas autorit të këtij librit, Sadik Mehmeti, brenda periudhës së lartëcekur në Kosovë është zhvilluar një proces i komplikuar i jetës arsimore shkollore. Shkollat në Kosovë në mes viteve 1830-1912 nuk i kanë takuar një sistemi, nuk kanë qenë të unifikuara, qoftë për nga karakteri, qoftë për nga nivelet, lloji dhe as për nga prejardhja etnike e nxënësve.

Në këtë studim Mehemti është fokusuar tek shkollat fetare myslimane dhe ato katolike, në të cilat edhe pse nuk kishte lëndë të gjuhës shqipe, gjuha e ligjërimit ishte shqipja.

Monografia ofron shumë të dhëna rreth numrit të shkollave në gjithë Kosovën, llojin e tyre, dëshmi rreth të diplomuarëve në këto shkolla dhe mësuesve.