Pamje nga provat për shfaqjen ‘Rebounds. A BasketBallet’. Foto: BKK.
Baleti Kombëtar sjell premierën e re, ‘Rebounds. A BasketBallet’ shfaqet më 15 shkurt në Atelienë e Pallatit të Rinisë
Baleti Kombëtar i Kosovës (BKK) do të shfaqë nesër, më 15.02.2024, premierën e baletit “Rebounds. A BasketBallet”.
Premiera jepet duke filluar nga ora 20:00 në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Sinan Kajtazi, drejtor i BKK-së ka thënë për KALLXO.com se baleti “Rebounds. A BasketBallet” është premiera parë për vitin 2024.
“’Rebounds. A BasketBallet’ është krijim i ri i stilit bashkëkohor dhe është realizuar në bashkëpunim me dy koreografët gjermanë: Friederike Lampert dhe Jochen Roller, ndërsa kompozitor i muzikës është Ohad Talmor”- ka thënë Kajtazi.
Ai ka thënë se baleti “Rebounds. A BasketBallet” bashkon baletin klasik dhe basketbollin.
Shfaqja, sipas drejtorit Kajtazi eksploron kërcimin dhe cilësinë muzikore të një loje basketbolli duke parë modelet e dyshemesë, konstelacionet e lojtarëve, ritmet e topit, strukturat e lojës dhe ndërveprimin e rendit dhe kaosit.
“Pjesa është një lojë imagjinare e cila ka rregullat e veta: Një shpërthim furie, hiri, ngatërrese dhe shpirti ekipor”- ka thënë drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi.
Repriza e këtij baleti jepet një ditë pas premisës, më 16.02.2024, po në Atelienë e Pallatit të Rinisë.