Foto: Hajrulla Çeku/Facebook

Baleti Kombëtar sjell në dhjetor premierën e shfaqjes ‘Arrëthyesi’

Baleti Kombëtar i Kosovës planifikon që më 16 dhjetor të këtij viti të sjellë për publikun premierën e shfaqjes, “Arrëthyesi”, me koreografi të Ilir Kernit.

Synimet ishin që kjo premierë të shfaqet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, por renovimi i saj prishi planet e BKK që baleti “Arrëthyesi” të shfaqet në këtë sallë.  Si rezultat i këtij renovimi kjo premierë do të shfaqet në sallën AMC në Mazgit të Obiliqit, më 16 dhjetor 2023.

Filharmonia dhe Opera e Kosovës kanë mbajtur koncertet në sallën AMC, për shkak të kushteve të ofruara.

Mungesa e sallave koncertale e largimi, për arsye renovimi, nga objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës po krijon kokëçarje për drejtuesit e Baletin Kombëtar të Kosovës, kur vjen në pyetje prezantimi i shfaqjeve.

Në sallën “1 Tetori”, OK-ja shfaqi më 15 dhjetor 2022, premierën e operës “La Traviata” të Gjyzepe Verdit.

Që prej largimit nga objektit i TKK-së, BKK është sistemuar përkohësisht në objektin e Ansamblit “SHOTA”, në pritje të ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baleti të Kosovës.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur proceduar për ndërtimin e objektit të OBK-së, megjithatë përfundimi i tij duket i largët.

Premiera ‘Arrëthyesi’

Sinan Kajtazi, drejtori i BKK-së, tha për KALLXO.com se baleti “Arrëthyesi” do të shfaqet më 16 dhjetor 2023 në sallën AMC në Mazgit në Obiliq, e edhe një ditë pas premierës, më 17 dhjetor.

“Fillimisht e kemi planifikuar në sallën e sportit ‘1 Tetori’, mirëpo për shkak të renovimeve, jemi njoftuar që nuk do të kemi mundësi ta shfrytëzojmë këtë salle edhe pse rezervimin e (kësaj) sallës e jemi bërë shumë kohë me parë. i kishin dy opsione për lokacionin se ku do të mbahet premiera dhe është vendosur për Sallën AMC”- ka thënë ai.

Sipas tij, faza e parë e provave për baletin “Arrethyesi”, kanë filluar në shtator 2023.

“Fazën finale, e kemi filluar me date 06.11.2023 dhe provat intensive do të vazhdojnë deri në premierën e shfaqjes, më datë 16.12.2023”- ka thënë ai. Provat për përgatitjen e kësaj shfaqje BKK është duke i zhvilluar në një sallë të marrë me qira me mbështetjen financiare të MKRS-së.

Ai ka thënë se ‘Arrëthyesi” realizohet në bashkëpunim edhe me Orkestrës se Filarmonisë se Kosovës dhe bashkëpunimit me artiste ndërkombëtare.

“’Arrërthyesi’, vepër e njohur e kompozitorit P.I. Tchaikovsky (Çajkovski), do të jetë në repertorin tonë në çdo dhjetor të çdo viti  për shkak të natyrës dhe dramaturgjisë së shfaqjes”- ka thënë drejtori Kajtazi.

Urgjenca për salla

Situata më të cilën po ballafaqohet BKK- ja për gjetjen e një salle për dhënien e premierës së saj, ngre nevojë e ndërtimit të objektit të OBK-së.

Deri në qershor të viti të kaluar BKK vepronte në objektin të cilin e ndante përgjysmë me TKK-së. Pas largimin, shfaqjet e tij BKK i realizon edhe në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë të cilin tani e  shfrytëzon Teatri Kombëtar.

MKRS ka nisur proceduar për ndërtimin e objektit të OBK-së, por është në fazën fillestare të proceduarave për përzgjedhjen e projektin ideor për ndërtimin e objektit të OBK-së.

“Procedura e prokurimit për Teatrin e Operës dhe Baletit është në fazën e vlerësimit të projekteve. Në përputhje me afatet ligjore, MKRS do të njoftojë për rezultatet e vlerësimit”- thuhet në një përgjigjen për KALLXO.com.

Ndërkaq, renovimi i objektit të TKK-së, pritet të nisë tek, vitin e ardhshëm. “Aktualisht ka përfunduar hartimi i projektit ideor, po punohet në atë zbatues dhe në vitin e ardhshëm do të filloj zbatimi, pra të fillojnë punimet. Hartimi i projektit po bëhet nga bashkëpunimi i MKRS me ekspertizën e Universitetit të Prishtinës. Duke qenë që objekti i Teatrit është aset i trashëgimisë në mbrojtje, projekti duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë”- thuhet në një përgjigje të MKRS-së për KALLXO.com.

Në një situatë të tillë e vetmja zgjidhje për BKK mbeten sallat alternativë në kryeqytet.

Baleti ‘Arrëthyesi’

Baleti “Arrëthyesi” është krijuar nga kompozitori rus P.I. Çajkovski, mes 1891-1892. Është shfaqje me dy akte në tri skena, e bazuar në tregimit, “Arrëthyesi dhe mbreti miush” të shkrimtarit gjerman Ernst Theodor Wilhelm Hoffmann.

Shfaqja flet për historinë e një të reje me emrin Klara, e cila zvogëlohet sa një miush dhe bashkë arrëthyesi i saj shkojnë në luftë së bashku me lodrat e tjera kundër miut të lig.