Foto: BKK.
Baleti Kombëtar planifikon që premierën e dytë për vitin 2024 ta shfaq në Nju Jork
Baleti Kombëtar i Kosovës (BKK) planifikon që në bashkëpunim me koreografen amerikane Chiara Ajkun, premierën e dytë për vitin 2024, ta realizojë në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo premierë pritet të shfaqet në “Theater at St. Jean” në Mannhatan, më 31.05.2024 dhe 01 e 02.06.2024.
Sinan Kajtazi, drejtori i BKK-së ka thënë për KALLXO.com se provat për realizimin e kësaj shfaqjeje do të fillojnë më 11.03.2024 në ndërtesën e Ansamblit “Shota”.
Shfaqja, sipas Kajtazit do të jetë e stilit neoklasik dhe për emërtimin e saj do të vendoset pas periudhës se parë të provave me balerinët, në bashkëpunim me koreografen Ajkun.
Pas premierës në Nju Jork, shfaqja planifikohet të bëhet edhe në Prishtinë.
“Kjo shfaqje realizohet në formë bashkëpunimi me koreografen Ajkun dhe trupën e saj ‘Ajkun Ballet Company’, e cila bazën e ka në Nju Jork. Si pjesë e marrëveshjes janë paraparë edhe shfaqjet e dy trupave: të BKK-së në Nju Jork dhe ‘Ajkun Ballet Company’” në Prishtinë”- ka thënë Kajtazi.
Përveç realizimit të premierës në Nju Jork, BKK-ja planifikon edhe dy prezantime tjera gjatë 2024-es në skenat botërore.
Më 27. 07. 2024 BKK planifikon të jap shfaqje në teatrin “Cine Teatro D. Joao V. in Amadora” në Lisbonë të Portugalisë. Ndërsa në shtator po të këtij viti do të marr pjesë në Festivalin Botëror të Vallëzimit në Cheonan të Koresë së Jugut.
Më 15. 02. 2024, BKK ka shfaqur baletin “Rebounds. A BasketBallet”, që është edhe premiera e parë e realizuar për këtë vit.