array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Prishtina, maj, 2023. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Video-materiali i fabrikuar për raketat

Deklarata

Media

Vlerësimi

Rrenë

Video e publikuar në faqen “Bak O Bak” është e manipuluar. Në këtë video janë përdorur pamje të BM-21 Grad, një sistem raketor i montuar në kamion sovjetik i cili është zhvilluar në fillim të viteve 1960. Kësaj video i është mbivendosur zëri i marrë nga një kronikë televizive e televizionit Klan Kosova që thotë: “Amerika dha edhe një dritë jeshile për Kosovën. Ia miratoi kërkesën për blerjen e raketave dhe lansuesve, e që do t’i shtohen arsenalit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”. Armatimi që shihet në këtë video nuk është blerë nga Kosova, siç pretendohet aty. Kosova është në rrugë për t’u pajisuar me sistemin raketor antitank “Javelin”.

Artikulli

Më 27 janar 2024 faqja e Facebook-ut “Bak O Bak” (arkiva) ka publikuar një video-material përmes të cilit pretendon se janë raketat kundërtank “Javelin”.

I njëjti material është publikuar fillimisht në një llogari në rrjetin social TikTok që mban emrin ahmethamdiu2023 (arkiva).

Në këtë video thuhet “Amerika dha edhe një dritë jeshile për Kosovën. Ia miratoi kërkesën për blerjen e raketave dhe lanësuesve e që do t’i shtohen arsenalit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

Krypometër, përmes kërkimit në Google, ka gjetur se një lajm i tillë është publikuar fillimisht në KlanKosova.tv.

Videoja origjinale është një kronikë e televizionit Klankosova me titull “FSK-ja blen Javelin, dridhen Vuçiqi e Serbia” (shiko video, minuta 02:05). Në videon origjinale nuk janë pamjet e njëjta me ato të publikuara në faqen “Bak O Bak” (arkiva).

Krypometër ka kontaktuar me kolonelin në pension të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli, për të verifikuar nëse pamjet e paraqitura në video janë pajisjet Javelin.

“Jo, ky armatim nuk është Javelin, ky model është prodhim rus, raketahedhës mobil. Përpara i kanë thënë Kaqusha”- ka thënë Veseli për Krypometrin. 

Krypometër ka kontaktuar edhe më zëdhënësin e Ministrisë së Mbrojtjes, Ibrahim Shala, i cili e ka thënë se nuk kanë blerë pajisjen ushtarake që shihet në videon e publikuar në “Bak O Bak”(arkiva).

“Jo, sistemi i cili është paraqitur në këtë video nuk është Javelin dhe xhirimi nuk është i ushtrisë sonë”- tha Shala për Krypometrin.

Krypometër, përmes kërkimit në “Google Lens” ka gjetur se armatimet në video janë të tipit BM-21 Grad.

BM-21 Grad është një sistem raketor 122 mm i montuar në kamion sovjetik, i zhvilluar në fillim të viteve 1960. Zhvillimi i 122 mm BM-21 Grad i nivelit divizional RSZO u zhvillua në mesin e viteve 1950 nën drejtimin e Koncernit të Prodhimit Shkencor Splav në Tula (qytet në Rusi).

Sistemi i raketave të shumëfishta BM-21 122 mm (MRL) hyri në shërbim në Ushtrinë Sovjetike në 1963 për të zëvendësuar sistemin e vjetër 140 mm BM-14. Roli kryesor i sistemit BM-21 Grad është të mbështesë divizione këmbësorikë me zjarr shtypës për të kundërshtuar pozicionet e raketave antitank, artilerisë dhe mortajave, shkatërrimin e pikave të forta dhe eliminimin e nyjeve të rezistencës armike në fushën e menjëhershme të betejës.

Ndërsa, raketat Javelin u prodhuan dhe zhvilluan për ushtrinë amerikane dhe trupat detare të saj. Këto armë janë të prodhuara nga dy kompanitë, Lockheed Martin dhe Raytheon Technologies.

Sipas të dhënave që janë të publikuara në faqen zyrtare të kompanisë Lockheed Martin, “Javelin” është një sistem armësh precize kundërtank, të lëvizshme dhe të vendosshme në platformë. Këto armë mund të përdoren edhe nga një ushtar i vetëm duke e mbajtur atë mbi supe për të qëlluar nga lart apo drejtpërdrejt objektivin, por edhe mund të vendosen mbi automjetet ushtarake.

Një raketë e tillë vlerësohet se mposhtë të gjitha forcat e blinduara të njohura dhe të projektuara, si dhe objektiva të buta e të parregullta.

“Javelin”, sipas kompanisë Lockheed Martin përdor teknologjinë “fire-and-forget” duke drejtuar veten drejt objektivit pa komanda të jashtme ose përcaktimin e objektivit.

Kompanitë që prodhojnë këtë lloj arme thonë se një aftësi e tillë siguron mbijetesë superiore për operatorët, pra ushtarët që përdorin armë të tillë, të cilët pas gjuajtjes që mund të zhvendosen menjëherë në vende të sigurta, e nuk mbesin të ekspozuar.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kishte konfirmuar se Kosova i kishte nisur kërkesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të blerë sistemin raketor antitank “Javelin”.

“Për sistemin ‘Javelin’ është dërguar kërkesa dhe e njëjta është pranuar nga SHBA”– tha Maqedonci.