Video e fabrikuar e mjekut ukrainas që prezantohet si shqiptar
Deklarata
KUSH VUAN NGA PROSTATITI SHPESHTA NË TUALET DËGJOJENI!
Vlerësimi
Rrenë
Video me përshkrimin “KUSH VUAN NGA PROSTATITI SHPESHTA NË TUALET DËGJOJENI!” është e manipuluar. Përmbajtja e kësaj video është e fabrikuar pasi referohet në vendim të një Instituti që nuk ekziston në Kosovë. Personi që prezantohet si mjek nga Kosova, në fakt është mjeku Dr. Sergii A. Ryzhenko, doktor në një spital në Ukrainë.
Artikulli
Më 20.03.2024 faqja në Facebook, ‘Beijing Institute of Medicine’, ka publikuar një video, mbi të cilën shkruan: KUSH VUAN NGA PROSTATITI DHE SHPESHTA NË TUALET DËGJOJENI!.
Në këtë video thuhet “Të nderuar banorë të Kosovës, kam një lajm të mirë për ata që vuajnë nga prostatiti dhe dëshira e shpeshtë për të shkuar në tualet. Me urdhër të posaçëm të institutit të mjekësisë, departamenti i Urologjisë, është krijuar një ilaç që eliminon plotësisht këto probleme në vetëm një javë”.
Krypometri fillimisht ka verifikuar nëse në Kosovë ekziston një institut i tillë.
Në organogramin e Ministrisë së Shëndetësisë, nuk figuron ndonjë institut me emrin, “Institutit i Mjekësisë, departamenti i Urologjisë”
Krypometri ka kërkuar edhe në ueb faqen e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), por as aty nuk figuron ndonjë institut i tillë, veç Klinikës së Urologjisë.
Në video shihet një mjek duke folur shqip, por Krypometri përmes Google Lens ka vërtetuar se personi në fjalë është Dr. Sergii A. Ryzhenko, doktor në një spital në Ukrainë.
Videoja e publikuar në ‘Beijing Institute of Medicine’, është marrë nga një konferencë për media të Dr. Ryzhenko në vitin 2020.
Në një shkrim autorial, Rinor Dervishi, Specialist– Urolog, thotë se prostatiti është një ënjtje ose inflamacion i zakonshëm i prostatës që kryesisht i prekë meshkujt nën 50 vjeç. E një prostatë e zmadhuar, e njohur gjithashtu si hiperplazia beninje e prostatës (HBP), sipas Dervishit, është problemi më i zakonshëm i prostatës tek meshkujt mbi 50 vjeç.
“Trajtimi i prostatës varion varësisht prej problemit dhe madhësisë së prostatës, nga terapia me barna e deri te largimi i prostatës me intervenim kirurgjikal”- kishte shkruar Dervishi në një shkrim autorial të publikuar në Telegrafi.