array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Rrena për publikimin e momentit të sulmit në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku

Deklarata

Publikohet momenti i sulmit ku u vra polici Afrim Bunjaku

Mediat

Vlerësimi

Rrenë

Në pamjet e prezantuara nga Policia e Kosovës më 1 tetor 2023, nuk shihet momenti i sulmit ndaj automjetit të Policisë së Kosovës, në 02:34 të mëngjesit të 24 shtatorit 2023, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit. Në pamjet e prezantuara nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, janë pamje të sulmit ndaj njësive intervenuese të cilat shkuan atje rreth orës 4:20, pas sulmit në të cilin mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku.

Artikulli

Media online e faqe të ndryshme, më 1 tetor 2023 kanë publikuar dhe kanë shpërndarë në rrjetin social Facebook, një artikull me mbishkrimin në të cilin thuhet se Policia e Kosovës shfaqi pamjet e momentit në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku, nga një sulm terrorist më 24 shtator 2023, në Banjskë të Zveçanit. 

“Publikohet momenti i sulmit ku u vra polici Afrim Bunjaku”- thuhet në mbishkrimin e publikuar nga mediat online e faqet e ndryshme në Facebook. 

Kjo përmbajtje u publikua dhe u shpërnda pas konferencës që e mbajti drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Të dy prezantuan pamje të ushtrimeve dhe organizimit të sulmit terrorist të 24 shtatorit, të cilat ishin siguruar nga dronët e konfiskuar nga grupi terrorist.

Krypometri ka arritur që të identifikojë 33 media online dhe faqe të ndryshme në Facebook që e kanë publikuar informacionin se Policia ka publikuar pamje të momentit të sulmit në të cilin mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Mediat të cilat e kanë publikuar dhe shpërndarë këtë përmbajtje janë – “Raporto”, “Informacioni”, “PolitikaJAshtme.com”, “Istogu Chanel”, “Autochthonus”, “Metropol Magazine”, “Kosova Report”, “Gazeta Populli”, “Gazeta Fol Drejt”, “Fjala ime”, “Prishtinapress”, “Gazeta e Prizrenit” , “Front Online” , “Ora Neës”, “RadioStarGjilan”, “Insajderi” , “Pika Press” , “Veriu.info”, “Dosja.al”, “Llapi.info”, “GazetaBlic” “Diaspora Shqiptare” , “Lajmi i Fundit” , “Fshatrat e Drenicës” , “Kanal 10”, “Zëri”, “Gazeta Lajm”, ”Vajtuese- Shumë të mira- Muzikë Live”, “Indeksonline”, “Gazeta Metro”, “Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA”, “Gazeta Mejdani”  dhe “Betimi për Drejtësi”.

Pamjet e prezantuara nga Policia e Kosovës në konferencën e 1 tetorit 2023

Në pamjet e prezantuara nga Policia e Kosovës më 1 tetor 2023, nuk shihet momenti i sulmit ndaj automjetit të Policisë së Kosovës, në 02:34 të mëngjesit të 24 shtatorit, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit. Në pamjet e prezantuara nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, janë pamje të sulmit ndaj njësive intervenuese të cilat shkuan atje rreth orës 4:20, pas sulmit në të cilin mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku.

“Siç tha edhe ministri, Serbia po pretendon që grupi terrorist nuk ka pasur në plan të vras policët tanë, por që vrasja e rreshterit tonë Afrim Bunjaku ka ndodhur aksidentalisht. Gjë që nuk është e vërtetë, vrasja e tij ka ndodhur me detonim të minës anti-këmbësorike të detonuar nga afërsia me teledirigjues dhe bateri elektrike që është përdorur nga grupi terrorist së pari. Pastaj kanë vazhduar sulmet direkte me raketa-hedhës nga pozicione në dhe afër manastirit diku 300-400 metra vijë ajrore nga vendi ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku”- shpjegoi drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kur foli për pamjet që u transmetuan në konferencën e 1 tetorit 2023. 

Gjatë publikimit të pamjeve, në konferencën e 1 tetorit 2023, drejtori Hoxha përmendi faktin që pamjet ishin nga automjetet e rënda të Policisë, të cilat kishin intervenuar pas vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku. 

“Do të kemi dy video që dëshmojnë sulmin direkt ndaj blindave dhe automjeteve tona të blinduara që kanë shkuar për të mbështetur dhe për të nxjerrë kolegët tanë që kanë qenë të plagosur, fatkeqësisht edhe kolegun e vrarë në vendin e ngjarjes”- shpjegoi Hoxha në konferencën e 1 tetorit 2023. 

Hoxha dha edhe më shumë detaje në lidhje me videot kur u pyet nga gazetarja e KALLXO.com në lidhje me disa vetura që shihen në pamjet e prezantuara.

“Veturat anash a janë të policisë apo janë të qytetarëve?”- tha gazetarja e KALLXO.com.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, u përgjigj duke thënë se sulmi kishte ndodhur më herët ndërsa pamjet ishin të intervenimit.

“Këto dy vetura janë të policisë që kanë qenë të sulmuara dhe kanë mbetur në vendin e ngjarjes, momentet e para, vetura që është përdorur nga rreshteri dhe kolegët tonë, Afrimi dhe po ashtu një veturë tjetër e njësitit të policisë kufitare që ka qenë bashkë me ta”- u përgjigj drejtori Hoxha (momenti i pyetjes dhe përgjigjes në këtë link nga minuta 26:55). 

Goditja me minahedhës ndaj veturës së Policisë së Kosovës, në të cilën gjendej edhe rreshteri Afrim Bunjaku sipas të dhënave zyrtare të Policisë, u sulmua në orën 2:34 të mëngjesit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Në këtë sulm edhe një polic u plagos dhe një tjetër u lëndua. Organet e rendit në Kosovë zyrtarisht kanë konfirmuar se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë.

Më 29 shtator 2023, Millan Radoiçiq, përmes një letre të cilën e ka lexuar avokati i tij, Goran Petronijeviq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.