array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Rrena e Hashim Thaçit për anëtarësimin e KOSTT-it në ENTSO-E

Deklarata

Sot, KOSTT u bë anëtare e Rrjetit Evropian të Sistemit të Transmisionit, duke çuar në pavarësinë e plotë energjetike të Kosovës nga Serbia. Një hap i madh përpara për Kosovën. Mirënjohës ndaj aleatëve tanë për mbështetjen e tyre të palëkundur

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Vlerësimi

Rrenë

Operatorit i Sistemit, Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) nuk është bërë anëtar i Rrjetit Evropian të Sistemit të Transmisionit (ENTSO-E). Por, votimi në ENTSO-E i ka mundësuar KOSTT-it që arrijë pavarësimin elektro-energjetik të Kosovës nga Serbia, si dhe tashme njihet si operator me të drejta të barabarta me homologët e tjerë evropianë. Kosovës do t’i njihen kufijtë energjetikë si zonë rregulluese brenda Bllokut Rregullues me Republikën e Shqipërisë. Tashmë pritet të funksionalizohet edhe linja 400kV.

Artikulli

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka quajtur arritje të madhe votimin e marrëveshjes së kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E, në të dy postimet që i ka bërë në lidhje me këtë çështje, në Facebook dhe në Twitter.

Edhe pse të dy postimet i referohen të njëjtës çështje, në njërin prej tyre, presidenti Thaçi i është referuar gabimisht. Në postimin e tij në Twitter që e ka bërë në gjuhen angleze, Thaçi ka shkruar se Kosova është bërë anëtare e ENSTO-E.

“Sot, KOSTT u bë anëtare e Rrjetit Evropian të Sistemit të Transmisionit, duke çuar në pavarësinë e plotë energjetike të Kosovës nga Serbia. Një hap i madh përpara për Kosovën. Mirënjohës ndaj aleatëve tanë për mbështetjen e tyre të palëkundur”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Por, Kosova nuk është bërë anëtare e Rrjetit Evropian të Sistemit të Transmisionit (ENTSO-E).

Me votimit të djeshëm të Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E, nga ana e Operatorëve së Sistemit të Transmetimit (OST) të vendeve të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale (RGCE), trup i ENTSO-E, Kosovës do t’i njihen kufijtë energjetikë si zonë rregulluese brenda Bllokut Rregullues me Republikën e Shqipërisë.

Sipas këtij votimi KOSTT dhe Republika e Kosovës del nga Blloku rregullues Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut, për t’iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri, duke mundësuar implementimin e Marrëveshjes për Bllokun Rregullues Kosovë-Shqipëri që u nënshkrua me 26 nëntor të vitit 2019.

“Kjo Marrëveshje  i hapë rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë elektrike si dhe pjesëmarrje në Bursën shqiptare të energjisë (APEX)”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, ku citohet Ilir Shala, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it.

Votimi i kësaj marrëveshje paraqet pavarësim elektroenergjetik të Kosovës nga Serbia dhe sovranitet të Kosovës mbi rrjetin energjetik. Po ashtu mundëson funksionalizimin e linjës interkonektive 400kV në mes Kosovës dhe Shqipërisë, e cila qe 4 vite është finalizuar por asnjëherë nuk është funksionalizuar.

Ndryshe nga postimi në Twitter, në Facebook, Thaçi i është referuar saktë votimit të kësaj marrëveshje.

“Nga sot Kosova është e pavarur edhe në fushën e energjisë. Është votuar Marrëveshja e Kyçjes së re nga Grupi Rajonal i Evropës Kontinentale, trup i ENTSO-E, me të cilën ka filluar përmbyllja e procesit të gjatë dhe të mundimshëm të pavarësimit të rrjetit energjetik të Kosovës, përkundër rezistencës së Serbisë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje në javët në vijim, Marrëveshja e re e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E do të hyjë në fuqi me datë 15 maj 2020.

Marrëveshja për Energji është njëra prej marrëveshjeve të arritura në mes të Serbisë dhe Kosovës në dialogun disavjeçar.

Kjo Marrëveshje, e arritur në vitin 2013, nuk është zbatuar. Moszbatimi i saj ka pasur pasoja të mëdha për Republikën e Kosovës qoftë në menaxhimin e sektorit të energjisë apo edhe financiare.

Dikur KEK-u e tash KESCO janë duke i furnizuar me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe, por asnjëherë deri më tani nuk kanë pranuar asnjë pagesë. Këtë rrymë të shpenzuar në veri deri në muajin dhjetor të vitit 2017 e kanë paguar qytetarët e tjerë, kurse më pas e ka paguar Qeveria e Kosovës. Përveç kësaj, Serbia është thirrur si pronare e rrjetit të transmisionit dhe ka përfituar miliona euro.

E një nga pasojat e mos zbatimit të marrëveshjes për energji të nënshkruar në Bruksel në vitin 2013 është edhe pamundësia për të funksionalizuar linjën interkonektive 400 kV që lidh Kosovën me Shqipërinë.

Përkundër disa vendimeve të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë si dhe thirrjeve të BE-së, Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji duke i shkaktuar humbje milionëshe Kosovës në këtë sektor.

Janë realizuar me sukses të gjitha testimet e operimit të linjës interkonektive 400 kV nga KOSTT dhe OST Shqipëri, por funksionalizimi i saj nuk është realizuar.

Me vënien në operim të linjës së re 400 kV Kosovë-Shqipëri, do të mundësohet shkëmbimi më i madh i energjisë elektrike në mes të dy vendeve sidomos pas ngritjes së kapaciteteve gjeneruese të planifikuara në Kosovë të bazuara kryesisht në linjit si dhe të kapaciteteve gjeneruese hidro të Republikës së Shqipërisë.

Kosova dhe Shqipëria aktualisht janë të lidhura me një linjë interkonektive 220 kV. Sipas KOSTT kapaciteti i transferit të interkoneksionit me Shqipërinë aktualisht është rreth 200MW dhe me vënien në operim të linjës do të ngritet në rreth 700MW.

Projekti i ndërtimit të autostradës energjetike Kosovë-Shqipëri i kishte kushtuar 33.5 milionë euro vetëm në pjesën e Kosovës dhe financimi i saj ishte bërë nga Qeveria Gjermane. 16.5 milionë dollarë kanë qenë grant, ndërsa 17 milionë euro kanë qenë kredi komerciale afatgjate me kushte kredituese të buta që është dhënë përmes Bankës për Zhvillim (KfW). Ngjashëm, Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW-së gjithashtu ka financuar pjesën e linjës në anën e Shqipërisë.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT) tashmë e ka paguar gati gjysmën e kredisë, ndërkohë që nuk ka arritur të ketë asnjë të hyrë nga linja 400 kilovoltëshe.

Kjo kredi ishte e para për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë. Edhe pse është nënshkruar me 23 dhjetor 2009, kthimi i kredisë kishte nisur vetëm në vitin 2016 për shkak të grejs-peridhës që ishte dhënë.

“Kthimi i kredisë ka filluar në vitin 2016, ndërsa shuma e paguar deri me datë 31.12.2019 është 8 milionë euro. Pagesa e kredisë përfundon në qershor të vitit 2024”, thuhet në përgjigjet e KOSTT të muajit janar 2020 të dhënë për KALLXO.com.

KOSTT synon anëtarësimin në ENTSO-E, rrjet i cili përfaqëson 43 operatorë të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike nga 36 vende në Evropë. Anëtarësimin e KOSTT-it në rrjetin europian vazhdimisht e ka penguar Serbia.