KOSTT paguan gjysmën e kredisë për Autostradën Energjetike që ende nuk e ka shfrytëzuar

Kanë kaluar 4 vjet që kur është finalizuar dhe testuar linja interkonektive 400 kilovoltëshe mes Shqipërisë dhe Kosovës, mirëpo ajo nuk po mund të shfrytëzohet për shkak të pengesave nga Serbia.

Projekti i ndërtimit të autostradës energjetike Kosovë-Shqipëri kishte kushtuar 33.5 milionë euro vetëm në pjesën e Kosovës dhe financimi i saj ishte bërë nga Qeveria Gjermane. 16.5 milionë dollarë kanë qenë grant, ndërsa 17 milionë euro kanë qenë kredi komerciale afatgjate me kushte kredituese të buta që është dhënë përmes Bankës për Zhvillim (KfW). Ngjashëm, Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW-së gjithashtu ka financuar pjesën e linjës në anën e Shqipërisë.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT) tashmë e ka paguar gati gjysmën e kredisë, ndërkohë që nuk ka arritur të ketë asnjë të hyrë nga linja 400 kilovoltëshe.

Kjo kredi ishte e para për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë. Edhe pse është nënshkruar me 23 dhjetor 2009, kthimi i kredisë kishte nisur vetëm në vitin 2016 për shkak të grejs-peridhës që ishte dhënë.

“Kthimi i kredisë ka filluar në vitin 2016, ndërsa shuma e paguar deri me datë 31.12.2019 është 8 milionë euro. Pagesa e kredisë përfundon në qershor të vitit 2024”, thuhet në përgjigjet e KOSTT për KALLXO.com.

Autostrada Energjetike është bllokuar për shkak se Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji të nënshkruar në Bruksel me Kosovën në vitin 2013. Përkundër disa vendimeve të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë si dhe thirrjeve të BE-së, Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji duke i shkaktuar humbje milionëshe Kosovës në këtë sektor.

Në KOSTT presin që nga muaji prill i këtij viti të funksionalizojnë linjën 400 kilovoltëshe me Shqipërinë, kur të hyjë në fuqi Marrëveshjes e re e Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E.

Kjo marrëveshje do të mundësojë që KOSTT të operoj si Zonë/Bllok Rregulluese e pavarur dhe mundëson implementimin e Marrëveshjes për Bllokun Rregullues Kosovë-Shqipëri që u nënshkrua me 26 nëntor të vitit 2019.

“Me fillimin e operimit të KOSTT si Zonë/Bllok rregullues, KOSTT do të menaxhojë dhe do të përfitojë nga alokimi i  kapaciteteve interkonektive të KOSTT me Operatoret e Sistemeve Transmetuese fqinje dhe me këtë të ndalen përfitimet financiare që Serbia deri me tani i ka marrë në mënyrë ilegale”, theksohet në përgjigjen e KOSTT.

Kosova dhe Shqipëria aktualisht janë të lidhura me një linjë interkonektive 220 kV, kapaciteti i transferit të interkoneksionit me Shqipëri aktualisht është rreth 200 MË.

“Me futjen në operim të linjës 400 kV (NS Kosovë B-NS Koman), vlera e shkëmbimeve me Shqipëri nën rrethana normale do të rritet diku në brezin (600-700)MË”, vazhdon përgjigja e KOSTT.

Sipas KOSTT, ndërtimi i linjës interkonektive të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri dhe funksionalizimi i saj ndikon në optimizimin e dy sistemeve, ngritjen e kapaciteteve transmetuese,  si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe po ashtu do të ndikojë në zhvillimin dhe bashkimin e tregut të dy vendeve si dhe bashkimin në tregun rajonal të energjisë elektrike.

“Me vënien në funksion të linjës 400 kV Kosovë-Shqipëri mundësohet shkëmbimi më i madh i energjisë elektrike në mes të dy vendeve sidomos pas ngritjes së kapaciteteve gjeneruese të planifikuara në Kosovë si dhe të kapaciteteve gjeneruese të Republikës së Shqipërisë”, ka thënë KOSTT për KALLXO.com.

Sektori i energjisë elektrike në përgjithësi në Kosovë është duke u dëmtuar financiarisht në vazhdimësi nga operatori serb – EMS.

“EMS vazhdon që të mbledh të hyrat nga alokimi i kapaciteteve të linjave ndër kufitare të Kosovës me shtetet fqinje, andaj në përgjithësi, si rezultat i mos-funksionalizimit të linjës 400 kV Kosovë-Shqipëri, humbjet janë të vazhdueshme, nga humbja e oportunitetit që do të ofronte kjo linjë si në aspektin e sigurisë së sistemit ashtu edhe në atë tregtar”, potencohet në përgjigjen e KOSTT.

Më tej KOSTT theksoi se EMS vazhdon të bëj alokimin e kapaciteteve ndërkufitare të Kosovës me vendet fqinje si dhe të mbledh të hyrat nga alokimi i këtyre kapaciteteve.

“Gjithashtu, deri në vitin 2016 EMS ka mbledhur të hyrat nga tranziti i energjisë nëpër rrjetin transmetues të Kosovës respektivisht mekanizimi i ITC (Inter TSO Compensation)”, ka thënë KOSTT për KALLXO.com.

Sipas të dhënave të KOSTT, nga viti 2008 e deri më tani nga alokimi i kapaciteteve ndërkufitare si dhe deri në vitin 2016 edhe nga transiti i energjisë nëpër rrjetin transmetues të Kosovës, EMS ka përfituar “në mënyrë të padrejtë rreth 65 milionë euro në emër të KOSTT”.

Këto nuk janë humbjet e vetme që Serbia ia shkakton sektorit të energjisë. Aktualisht katër komunat me shumicë serbe vazhdojnë të mos paguajnë energjinë e shfytëzuar. Kosto e kësaj energjie është mbuluar nga qeveria e Kosovës, apo nga tërheqja e energjisë nga vendet fqinje. Deri në vitin 2018, kosto e furnizimit të katër komunave me shumicë serbe i është faturuar qytetarëve të Kosovës që kanë paguar energjinë elektrike.

Humbjet Milionëshe në Energjetikë