array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=3"
  }
}

Kundërshtimi i heshtur i LDK-së që mbajti gjallë Termocentralin ‘Kosova e Re’

Deklarata

Nuk e kemi pranuar asnjëherë, nuk kemi pranuar kushtet financiare të Countour Global. Asnjëherë nuk është votuar në Komitetin Ndërministrorë oferta financiare me Contour Global, as në Qeveri nuk ka ardhur në votim.

Hykmete Bajrami

Vlerësimi

Me kos

Memorandumi i bashkëpunimit në mes të qeverisë dhe Contour Global është nënshkruar në kohen e qeverisë së Isa Mustafës, pjesë e së cilës ishte edhe Hykmete Bajrami. Gjatë vitit 2016 dhe 2017 ishte negociuar kontrata me Contour Global dhe detajet e saj nuk ishin publikuar dhe as kundërshtuar nga ministrat e Isa Mustafës. Gjatë gjithë kësaj kohe është fol në publik se niveli i Normës së Brendshme të Kthimit (IRR) i dakorduar, pas fazës së parë të negociatave, ishte 21.5%. Kryeministri dhe ministrat asnjëherë nuk kanë deklaruar se me këtë normë nuk do të ecet përpara me projektet, e as nuk është thënë ndonjë prag nën të cilit qeveria nuk e pranon marrëveshjen.

Artikulli

Kandidatja për deputete nga LDK, Hykmete Bajrami ka folur për projektin e Termocentralit Kosova e Re, që është iniciuar qysh në vitin 2005.

Ky projekt ishte ndryshuar disa herë që nga inicimi. Ndryshimi i fundit ishte bërë në kohën e qeverisjes së Isa Mustafës, kur Hykmete Bajrami kishte pozitën e ministres së Tregtisë dhe Industrisë.

Bajrami, e cila ka qenë ministre e Tregtisë dhe Industrisë në qeverinë Mustafa, ka deklaruar se nuk i kanë pranuar kushtet financiare të kontratës me ‘Contour Global’.

“Nuk e kemi pranuar asnjëherë, nuk kemi pranuar kushtet financiare të Countour Global. Asnjëherë nuk është votuar në Komitetin Ndërministrorë oferta financiare me Contour Global, as në Qeveri nuk ka ardhur në votim”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka thënë se për negociata përgjegjës ka qenë ministri i Zhvillimit Ekonomik nga PDK-ja, Blerand Stavileci.

“Ka qenë kohë e negocimeve, kontrata ka qenë e pa përmbyllur”, ka deklaruar Bajrami.

Ajo ka thënë se projekti është kundërshtuar nga ministrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës në komitetin ndërministror.

 

Por, Qeveria Mustafa asnjëherë nuk e kishte kundërshtuar marrëveshjen me Contour Global.

Qeveria e Isa Mustafës e kishte nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për Termocentralin “Kosova e Re” me Kompanisë “Contour Global”, në fund të vitit 2015.

Kjo e fundit kishte ofertuar me dy shifra për Normën e Brendshme të Kthimit për këtë projekt, 23 dhe 27%. Këto kishin pjesë e negociatave në mes të Contour Global dhe Qeverisë së Kosovës.

Në ditën e nënshkrimit të memorandumit, kishte folur edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

“Është një ditë shumë e madhe për ne. Një ditë, në të cilën ne po fillojmë me një investim tepër të rëndësishëm për Kosovën, i cili do të siguroj resurse për zhvillim dhe stabilitet të furnizimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, kishte thënë Mustafa me 18 dhjetor 2015.

Pas nënshkrimit të memorandumit kishte vazhduar procesi i negocimit me Contour Globalit. Ministri i atëhershme i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci kishte thënë se pas negociatave me Contour Globalin kanë arritur që të zbresin normën e brendshme të kthimit në 21.5%.

Kryeministri Mustafa e kishte përmendur projektin ‘Kosova e Re’ edhe në vitin 2016.

“Ju e dini se ne jemi përcaktuar për ndërtimin e termocentralit të ri, Termocentrali “Kosova e Re” që do të jetë një investim mbi 1 miliard euro. Duhet shfrytëzuar këtë potencial dhe të mos kemi boshllëk të prodhimit e energjisë elektrike. Është pastaj edhe çështja e investimeve shtesë që do të bëhen në “Kosovën B”, për ta riaftësuar që të punohet në mënyrë të rregullt”, kishthe thënë kryeministri në mars të vitit 2016.

Në ndërkohë, ministrat e LDK-së nuk e kanë kundërshtuar projektin Kosova e Re, e as marrëveshjen për normën e brendshme të kthimit.

E ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, në një postim në Facebook, kishte thënë se të gjitha negociatat ishin përfunduar gjatë kohës së qeverisë së Isa Mustafës.

“Në Maj të vitit 2017, pas 14 takimesh të njëpasnjëshme, marrëveshjet ishin negociuar dhe kishin mbetur vetëm disa elemente teknike, si dhe rishikimi final i Normës së Brendshme të Kthimit bazuar në dakordimet finale të reflektuara në Marrëveshjet Komerciale, e cila do të pësonte rënie të mëtejshme si rezultat i balancimit më të mirë të risqeve të projektit. Rrjedhimisht ishim në pritje të takimit final i cili duhet të mbahej diku nga gjysma e muajit maj 2017. Më pastaj, fatkeqësisht, vazhdimin e kësaj historie e dimë të gjithë, ra qeveria, u shpërbë parlamenti dhe hymë në zgjedhje të parakohshme pas as 2 vjet e gjysmë të plota të mandatit qeverisës, ku gjithçka u ngri deri në formimin e qeverisë së re dhe takimi final, i cili do të ishte i 15-ti me radhë, u shty në afat të pacaktuar”, ka thënë Stavileci.

Faza e negociatave është zhvilluar me miratim të Komitetit Drejtues të Projektit që udhëhiqet nga Blerand Stavileci, ndërsa të drejtë veto në këtë komitet ka edhe ministri i Financave, që në atë kohë ishte Avdullah Hoti.

Historia e projektit

I njëjti projekt është iniciuar në vitin 2005, në kohën kur ministër i energjisë ishte Et’hem Çeku e kryeministër ishte Bajram Kosumi.

Kontrata për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ është nënshkruar më 20 dhjetor 2017.

Projekti fillestar ka qenë trefish më madh se ky tani. Parashihej një investim prej 3,5 miliardë eurove. Parashihej ndërtimi i një termocentrali prej 2100 megavatësh. Fillimisht parashihej të ndërtoheshin 1000 megavatë, ndërsa në fazën e dytë, pas dhjetë vjetëve, ishte paraparë ndërtimi i fazës së dytë prej 1000 megavatëve. Në kuadër të projektit ka qenë edhe investimi milionësh në mihje, pra hapja e mihjes së re. Në projekt ka qenë i paraparë edhe procesi i shpronësimeve që tash po kryhen nga KEK-u.

Që nga viti 2010 deri në vitin 2013 projekti ishte zvarritur, ndërsa interesimi i kompanive që ishin në garë kishte rënë.

Me 5 prill 2013, ishin miratuar dokumentet e tenderit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” nga Komiteti Drejtues i Projektit. Në atë kohë ishin miratuar marrëveshjet komerciale të cilat janë nënshkruar sot (20 dhjetor 2017), me ndryshimet që ka ndodhur në procesin e negocimit.

Në vitin 2015, Qeveria e Kosovës i ka dhënë kompanisë “Countur Global” statusin e ofertuesit të preferuar për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

“Countur Global” është kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e specializuar në blerjen dhe zhvillimin e kapaciteteve gjeneruese bazuar në kontrata afatgjata, me lloje të ndryshme të lëndëve djegëse si dhe lokacione të ndryshme gjeografike.

Investimet e përgjithshme për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me 500 megavat llogaritet të arrijnë në 1,3 miliard euro. “Countur Global” do të ofrojë 30 përqind të kostos së përgjithshme të projektit përmes zotimeve të kapitalit në nivel të projektit për procesin e ndërtimit të termocentralit.

Në vitin 2018 është tërhequr Banka Botërore nga financimi i termocentralit “Kosova e Re”. Pas saj është tërhequr edhe BERZH dhe institucionet e tjera financiare. Gjatë vitit 2019, ministri Lluka ka deklaruar se janë duke negocuar me OPIC-un amerikan për financimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ por ende nuk ka ndonjë rezultat.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).