array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Huqja e mediave për ndarjen e 100 eurove për punëtorët e ndërmarrjeve publike

Deklarata

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e 100 eurove për punëtorët e ndërmarrjeve publike në Kosovë që kanë pagë deri në 1000 euro.

Mediat

Vlerësimi

Rrenë

Raportimet e mediave se qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur me 25 maj 2023, ka vendosur t’i ndaj nga 100 euro për punëtorët e ndërmarrjeve publike janë të rreme. Ato kanë raportuar për këtë lajm, pasi në agjenden e mbledhjes së qeverisë figuronte një pikë e rendit të ditës që nuk e shpjegonte se bëhet fjalë për ndarjen e mjeteve vetëm për punëtorët që janë ankuar. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se mjetet do të ndahen vetëm për punëtorët që nuk kanë përfituar vitin e kaluar dhe pas parashtrimit të ankesës e kanë fituar këtë të drejtë.

Artikulli

Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë 32 mijë e 300 euro për të mbuluar pagesën në 2 masa të pakos emergjente për qytetarët që gabimisht nuk janë paguar gjatë vitit të kaluar dhe e kanë fituar këtë të drejtë pas ushtrimit të ankesës. 

Vendimi i qeverisë i prek dy kategori (mbështetjen e mërgatës dhe për punëtorët e ndërmarrjeve publikeka) të cilët janë ankuar dhe pas vendimeve përfundimtare kanë fituar të drejtën për të marrë 100 euro. 

Ky vendim i djeshëm në qeveri, u raportua në disa media gabimisht (lajmi 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6) pasi pretendohej se qeveria ka marrë apo do të marrë vendim për ndarjen e 100 eurove për punëtorët e ndërmarrjeve publike.

Keqkuptimi ishte shkaktuar për shkak të paralajmërimit për ndarje buxhetore që ishte bërë në pikën 7 të rendit të ditës së mbledhjes së sotme të kabinetit qeveritar.

“Shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e masës 4.5 – Mbështetja e Mërgatës, dhe zbatimin e pikës 1.3 dhe 1.4 të Vendimit të Qeverisë Nr.31/99 të datës 30 shtator 2022 në kuadër të masës 3.6 Mbështetja e likuiditetit familjar të Pakos së Ringjalljes Ekonomike (MFPT)”- kështu kishte formuluar këtë pikë Zyra e Kryeministrit.

Me të parë këtë paralajmërim, disa media duke u bazuar në të, raportuan se do të ndahen 100 euro për punëtorët e sektorit publik.

Në mbledhjen e Qeverisë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) Hekuran Murati kishte thënë se bëhet fjalë për dy masa.

“Kemi të bëjmë me dy masa të cilat janë në vazhdimësi pra bëhet fjalë për pagesat të cilat ose janë në kuadër të vazhdimësisë së masave apo që kanë rezultuar si rezultat i proceseve ankimore të miratuara, bëhet fjalë për masën 3.6 dhe 4.5 në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike”- ka thënë ai para kabinetit qeveritar.

Por, pasi mediat vazhduan të raportojnë se janë ndarë nga 100 euro për punëtorët e ndërmarrjeve publike, ka reaguar edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Ai ka thënë se nuk janë ndarë 100 euro për gjithë punëtorët.

“Në mbledhjen e sotme nuk ka pasur një vendim të tillë. Sot janë ndarë vetëm mjetet shtesë prej 32 mijë euro për rastet e ankesave dhe gabimeve për punëtorët e ndërmarrjeve publike për masën 3.6, e cila ishte ekzekutuar në vitin e kaluar në kuadër të Pakos për Ringjalljen Ekonomike”- ka shkruar ai në facebook.

Pika e rendit të ditës së mbledhjes së Qeverisë që prodhojë informacione të rreme, ka të bëjë me dy pika të pakoës emergjente për të cilat janë shpenzuar miliona gjatë vitit të kaluar. 

Masa 4.5 në pakon e ringjalljes ekonomike kishte paraparë ndarjen e 5 milionë euro për mbulimin e kostos së reduktuar të policës kufitare për të gjithë mërgimtarët që vijnë në Kosovë, deri sa të zgjidhim përfundimisht çështjen e Kartonit të Gjelbër.

Pikat 1.3 të vendimit të Qeverisë së Kosovës ka paraparë ndarjen e 100 eurove për punëtorët e ndërmarrjeve publike.

“Në kuadër të masës 3.6 Mbështetja e likuiditetit familjar, të gjithë punonjësit në ndërmarrjet publike që marrin pagë primare deri në njëmijë (1,000 €) e që kualifikohen për përfitim, mbështeten me shumën e njëhershme prej njëqind euro (100 €) nga muaji Shtator i vitit 2022”- thuhet në pikën 1.3 të vendimit të qeverisë.

Në anën tjetër pika 1.4 e vendimit të Qeverisë kishte paraparë 50 euro shtesë për punëtorët e sektorit publik deri në fund të vitit.

“Mbështetja e likuiditetit familjar, të gjithë punonjësit e sektorit publik të cilët kanë punuar me orar të plotë gjatë tërë muajit dhe që marrin pagë bazë primare deri në njëmijë (1,000 €) e që kualifikohen për përfitim, mbështeten me shtesën prej pesëdhjetë euro (50 €) nga muaji Shtator deri në fund të vitit 2022”- thuhet në pikën 1.4 të vendimit.

Të gjitha këto ndarje buxhetore ishin bërë nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, përkatësisht masa 3.6 e cila kishte paraparë ndarjen e 10 milionë eurove me ‘qëllim të adresimit të likuiditetit familjar, do të subvencionohen kreditë për konsum deri në 3,000 euro”.

Pakoja e ringjalljes ekonomike është krijuar me qëllim të ndihmës për qytetarët pas pandemisë COVID-19.

Shuma e përgjithshme e Pakos së Ringjalljes Ekonomike është 420 milionë euro, prej të cilave 190 milionë euro janë financuar nga buxheti, ndërsa 230 milionë euro tjera janë financim nga huamarrja.

Në kuadër të kësaj pako, Qeveria kishte ndarë dy herë nga 100 euro për studentët, dhe punëtorët e sektorit publik, ndërsa njëherë nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike.