
Krypometër: Deklarata e Pasaktë e Kadri Veselit për Fisnik Ismailin
Deklarata
“Mikja e Fisnikut i mat komandantat sa miliona i kanë. Me na qit krejt bashkë neve çka jemi ma shumë se Fisniku nuk i kemi”, tha Veseli.
Vlerësimi
Rrenë
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, iu ka referuar gabimisht pasurisë së deputetit të VV-së, Fisnik ismaili, sot në seancën e Kuvendit të Kosovës. Veseli ishte shprehur se pasuria e Ismailit është më e madhe se pasuria e të gjithë “komandantëve”, referencë për personalitetet publike që kanë dalë nga UÇK-ja. Të dhënat e deklaruara të pasurisë në Agjensionin Kundër Korrupsionit e dëshmojnë të kundërtën e asaj që e tha Veseli.
Artikulli
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli në fjalimin e tij në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës hiperbolizoi pasurinë e deputetit nga Lëvizja Vetëvendosje, Fisnik Ismaili.
Gjatë fjalimit të mllefosur kryesisht karshi deputetëve të Vetëvendosjes ai deklaroi se pasuria e përbashkët e të gjithë ‘komandantëve’ nuk mund ta kalojë pasurinë e Fisnik Ismailit.
“Mikja e Fisnikut i mat komandantat sa miliona i kanë. Me na qit krejt bashkë neve çka jemi ma shumë se Fisniku nuk i kemi”, tha Veseli.
KALLXO.com ka bërë llogaritjen e pasurive të të dy tashmë deputetëve në Kuvendin e Kosovës, Kadri Veseli dhe Fisnik Ismaili.
Gjithnjë duke u bazuar në deklarimet që vetë këta zyrtarë i kanë bërë në AKK del se Veseli pa ndihmën e komandantëve të tjerë i kalon Fisnik Ismailit për nga pasuria.
Në deklarimin e pasurisë për vitin 2017 deputeti Fisnik Ismaili ka deklaruar një pasuri prej mbi 178 mijë euro duke llogaritur këto pasurinë e luajtshme, të paluajtshme dhe të hyrat vjetore.
Në anën tjetër pasuria e përgjithshme e deklaruar për vitin 2017 nga Kadri Veseli është afro 339 mijë euro.
Pra pasuria e Veselit kalon atë të Ismailit me afro 161 mijë euro.
Ndërkaq nëse do të krahasohej pasuria e të gjithë komandantëve me atë të Fisnik Ismailit ashtu siç deklaroi Veseli rezultati do të ishte në favor të komandantëve me afro 11 milionë e 800 mijë euro epërsi.