Newborn, Foto: KALLXO.com

"Gratë me krahë", pamja dhe mesazhi i "Newborn" këtë 17 shkurt (FOTO)

Ashtu si çdo vit tjetër edhe në 14-vjetorin e pavarësisë, monumenti i “Newborn” ka marrë pamje të re të cilën do të mbajë deri në vitin e ardhshëm.

Këtë vit mesazhi i dedikohet grave të Kosovës. Tema këtë vit është “Winged Women” ose në shqip “Gratë me krahë”.

Përderisa të gjitha shkronjat janë të pikturuara me silueta të grave, shkronja “W” ka marrë ngjyrën e zezë me flatra të bardha.

Autori i obeliskut “Newborn”, Fisnik Ismaili ka thënë se pamja e re i dedikohet grave të suksesshme dhe atyre që ende abuzohen.

“I dedikohet grave në dy aspekte, grave të suksesshme që cilat na e zbardhin fytyrën nëpër botë që po i themi tash ‘çikat e Kosovës’ të cilat kanë marrë krah dhe kanë treguar suksese në botën e muzikës, kulturës, sportit, filmit, por edhe atë pjesën e errët që mbizotëron në shoqërinë tonë patriarkale ku gruaja hala abuzohet, hala vriten gratë, burrat shpëtojnë pa dënimet e meritume”, tha ai.

“Duhet me vetdijësu këtë shoqëri që gratë duhet me u përkrah që gratë janë ata personat kyç që po na zbardhin fytyrën”, shtoi Ismaili.

Newborn, Foto: KALLXO.com
Newborn, Foto: KALLXO.com

Monumenti i “Newborn” është simbol i lindjes së shtetit të ri të Kosovës, më 17 shkurt 2008.