Newborn, Foto: KALLXO.com

Fisnik Ismaili reagon pas deklaratës së Fadil Hysajt lidhur me faturën për monumentin NEWBORN

Autori i monumentit NEWBORN, Fisnik Ismaili, ka reaguar lidhur me deklaratën e regjisorit Fadil Hysaj, i cili ka thënë se prej firmës që i ka prodhuar shkronjat e monumentit, ka marrë një çmim tjetër nga çmimi që ka qenë në fatura.

Hysaj, në atë kohë kryesues i komisionit për festimin e Ditës së Pavarësisë, ka thënë në emisionin “Kallxo Përnime” se ai nuk i ka nënshkruar faturat e monumentit NEWBORN.

“Kur është bërë ajo e NEWBORNIT, kur kanë ardhur faturat, është dashtë me i nënshkru. Unë nuk i kam nënshkruar ato fatura. Kur kam lypur prej firmës që i kanë prodhuar ato germat e NEWBORNIT e kam marrë një çmim krejtësisht tjetër nga ai që ka ardhur fatura. Se unë kam thënë që po dojmë me i bë edhe do germa tjera për dikund tjetër”, ka thënë Hysaj.

Lidhur me ketë deklaratë të regjisorit Fadil Hysaj ka reaguar autori i monumentit NEWBORN, Fisnik Ismaili.

Ismaili përmes një postimi në Facebook ka thënë se manifestimi i shpalljes së Pavarësisë ka kushtuar rreth 550 mijë euro.

“Nga kjo shumë, parafatura dhe marrëveshja për NEWBORN ka qenë 66,000 euro, për ndërtimin e monumentit (që ka kushtue më shtrenjtë se zakonisht, 20,000€, sepse fabrika Metalteknik Asllani pat punue në 2 turne, që me e krye për 11 ditë), organizmin e 150 vetave staff, 60 veta sigurim privat, barriera për disa javë, zërim, DJ, mbi 5000 ballona me helium (që nuk i shitke askush nën 2 euro), ushqim për 5 ditë përgatitje për krejt staffin, makinat për tharjen e ngjyrës, aplikimet për festivale, fllomastera, e dhjeta shpenzime tjera, për me i menaxhue 150,000 njerëz që kanë kalue andej atë natë”, ka shkruar Ismaili.

Ismaili në postimin e tij ka përdorur fyerje mirëpo për shkak të respektimit të Kodit të Etikës së Mediave ato nuk mund të publikohen.