Hashim Thaçi duke lexuar deklaratën e pavarësisë më 17 shkurt 2008

Hysaj: Janë ndarë një milion euro për festën e Pavarësisë

Regjisori Fadil Hysaj në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për paratë që janë përdorur për organizimin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Hysaj ka thënë se në atë kohë ka qenë kryesues i komisionit për festimin e Ditës së Pavarësisë. Sipas tij, ky komision ka pasur për detyrë përgatitjen e infrastrukturës për festën.

“Unë e kam krijuar një skenar, një platformë që Pavarësia të festohet me zero euro, pa buxhet fare. Njerëzit kanë qenë të gatshëm me bë gjithçka që kurrgjë mos me u pagu në Kosovë. Dhe në fund është krijuar edhe një grup tjetër, më vonë e kam kuptuar që janë ndarë një milion euro për festën e Pavarësisë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se janë bërë disa manifestime që sipas tij kanë qenë në mënyrë enorme të shtrenjta.

“Lulet që janë përdorur për dekorimin e binës, kanë qenë dikund 15 mijë euro dhe janë marrë me qira nga Shkupi”, ka thënë ai.

Hysaj ka thënë se ai nuk i ka nënshkruar faturat e monumentit “NEWBORN”.

Ai ka thënë se prej firmës që i ka prodhuar shkronjat e monumentit ka marrë një çmim tjetër nga çmimi që ka qenë në fatura.

“Kur është bë ajo e NEWBORNIT, kur kanë ardhë faturat, është dashtë me i nënshkru, unë nuk i kam nënshkruar ato fatura. Kur kam lypur prej firmës që i kanë prodhuar ato germat e NEWBORNIT e kam marrë një çmim krejtësisht tjetër nga ai që ka ardhë fatura. Se unë kam thënë që po dojmë me i bë edhe do germa tjera për dikund tjetër”, ka thënë Hysaj.