array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=3"
  }
}

Ambasada e Britanisë së Madhe mohon t’i kenë vendosur kushte Kosovës për themelimin e Asociacionit

Deklarata

Edhe Britania vendos kushte ndaj Kosovës, asociacioni duhet tani

Faqet në Facebook

Vlerësimi

Me kos

Artikulli me titull “Edhe Britania vendos kushte ndaj Kosovës, asociacioni duhet tani” është i rremë. Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka thënë se raportimi se ata i kanë vendosur Kosovës kusht që të formojë asociacionin para anëtarësimit në Këshillin e Europes (KiE) është i rremë. Artikulli është bazuar në deklaratën e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Neil Holland, i cili megjithatë në deklarimin e plotë të tij nuk ka thënë se formimi i asociacionit është kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Artikulli

Më 10.05.2024 ueb faqja online ntv.al (arkiva) ka publikuar një artikull me titull “Edhe Britania vendos kushte ndaj Kosovës, asociacioni duhet tani”.

I njëti është publikuar edhe në faqet e Facebook-ut “Ntv Televizion (arkiva)” dhe “Lajme Shqip (arkiva)”. 

Ky artikull është publikuar në kohën kur tashmë ishte bërë publike kërkesa e disa shteteve anëtare të BE së dorëzimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese është një kriter për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. 

Shpërputhje në mes të titullit dhe përmbajtjes së artikullit 

Britania e Madhe është anëtare e Këshillit të Europës, megjithatë ata nuk e kanë kushtëzuar Kosovën për anëtarësim në këtë institucion. 

Pas analizës, Krypometër ka gjetur se faktet e paraqitura në titull nuk përputhen me përmbajtjen në artikull.

Në përmbajtjen e artikullit është cituar ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Neil Holland duke thënë se Kosova duhet të përmbushë detyrimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit/ Ohrit “me theks të veçantë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.

Krypometër ka gjetur deklaratën e plotë të ambasadorit, i cili ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar mirëpret përparimin në dhjetor të 2023 në udhërrëfyesin e energjisë dhe targat, shumë çështje themelore mbeten të pazgjidhura, teksa ka inkurajuar palët, Kosovën dhe Serbinë, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Mirëpo, në deklaratën e Holland nuk përmendet asnjë kushtëzim për themelimin e Asociacionit për anëtarësim në Këshillin e Europës.

“Ne inkurajojmë të dyja palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”- ka deklaruar ambasadori gjatë një diskutimi për raportin gjashtëmujor i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Cili ishte qëndrimi Britanisë së Madhe?

Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe ka mohuar që ambasadori të ketë vënë ndonjë kusht.

“Nuk është e vërtetë”- thuhet në përgjigjen e ambasadës për Krypometrin.

Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës (KiE) kanë zhvilluar një mbledhje më 17.05.2024. Çështja e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë nuk ka hyrë në agjendën e kësaj mbledhjeje.

Në Kosovë kishte pritshmëri se në këtë takim do të vulosej që shteti më i ri në Europë do të bëhej anëtar i 47-të i KiE-së.

Por, nga disa shtete Kosovës i është kërkuar dorëzimi i projektstatutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatë Kushtetuese si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së për anëtarësim në këtë organizatë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, më 16.05.2024, i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për, siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.

Ky draft, siç ka thënë Gërvalla, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj 2024.

Letra e Gërvallës nxiti reagime të shumta brenda dhe jashtë vendit dhe rezultoi se ishte dërguar pa u koordinuar me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani, dhe e njëjta nuk ka arritur të ketë efekt pasi anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europes nuk ka hyrë në agjenden e Këshillit të Ministrave.