Memli Krasniqi - Foto: KALLXO.com

Krasniqi i reagon faqes në Facebook, e akuzon për lajme të rreme

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj një faqeje që sipas tij po publikon lajme të rrejshme për të.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook tha se kjo faqe që po përdor emrin e kryeministrit Ramush Haradinaj, nuk do të shpëtojë nga përgjegjësia penale.

“Nuk është hera e parë që kjo faqe dhe faqe të ngjashme me të publikojnë lajme të rrejshme, duke më apostrofuar mua, por edhe kolegë të tjerë nga Partia Demokratike e Kosovës. Është përtej perfiditetit qasja e tillë mashtruese, sidomos kur këto faqe e identifikojnë veten me Kryeministrin Ramush Haradinaj. Njerëzit që sot fshihen prapa këtyre faqeve nen petkun e anonimitetit, nuk do të qëndrojnë në terr edhe gjatë. Kur të identifikohen ata, nuk do të shpëtojnë nga përgjegjësia penale që kanë”, ka shkruar Krasniqi.

Tutje ai tha se veprimet e tilla janë përtej çmendurisë.

“Më vjen keq që shumë njerëz mund të jenë fyer nga kjo propagandë shpifëse, edhe pse është lehtësisht e dallueshme që deklarimet e tilla që këta shpifës na i mveshin, janë përtej çmendurisë. Nuk kam reaguar në raste të kaluara, por prej tash gjithsesi do të mirremi me këto faqe të gërditshme edhe në mënyrë institucionale”, tha Krasniqi.

Faqja me emrin “Me Ramushin Kryeministër” ka nisur që një kohë të shpërndajë lajme të tilla.

Në faqen e saj në Facebook ajo po shpërndanë lajme me deklarata jo të sakta nga anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, pastaj të Partisë Social Demokrate.

Kryesisht lajmet vijnë nga një faqe me emrin barcashqip.net. Në të ka edhe lajme pozitive për Ramush Haradinajn.