KQZ: Zgjedhjet në Veri, mbi 30 për qind e qytetarëve votuan deri në orën 15:00

Procesi i votimit ne 44 qendrat e votimit në katër komunat ku po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar është duke vijuar pa ndonjë problem. Kështu ka njoftuar kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka në një konferencë për media.

Sipas saj, mbi 30 për qind e qytetarëve më të drejtë vote e kanë shfrytëzuar mundësinë për votim deri në orën 15:00.

“Deri në orën 15:00 të drejtën për votim e kanë shfrytëzuar  18 mijë 729  (32.30%) qytetarë me të drejte vote nga 57 mijë e 983 sa është numri i përgjithshëm i votuesve”, tha Daka.

Pjesëmarrja e votuesve deri në orën 15:00 në katër komunat veriore ishte kjo: Leposaviq nga 18 mijë e 164, të drejtën për votim e kanë shfrytëzuar 6 mijë e 3 qytetar apo 33.05%, në Zubin Potok nga 8 mijë e 535 deri në orën 15:00 kanë votuar 2 mijë e 940 apo 34.45 %.

Në Zveçan nga 9 mijë e 229 të drejtën për votë e shfrytëzuan 3 mijë e 169 apo 34.34%, ndërsa, në Mitrovicën Veriore nga 22 mijë e 55 votues, të drejtën e shfrytëzuan 6 mijë e 617 apo 30% e qytetarëve me drejtë vote.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se kanë pranuar disa ankesa për votimet me dokumente serbe dhe KQZ i ka njoftuar komisionarët se si të veprojnë në të ardhmen.