Blerand Stavileci. Foto: Facebook

Konflikti i interesit: Blerand Stavileci dorëhiqet nga një pozitë

Blerand Stavileci ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të klubit të basketbollit Prishtina.

Doreheqja ka ardhur për shkak të Ligjit të ri për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, i hyrë në fuqi kohë më parë, i cili ndalon që një person të jetë zyrtar publik dhe njëherit edhe kryetar i klubit si organizat qeveritare.

Largimin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Nuk qenka aspak e lehtë të Ju drejtohem në këtë mënyrë, sepse deri më tani pothuajse gjithmonë Ju jam drejtuar për t’Ju komunikuar lajme të mira dhe vendime të mëdha strategjike lidhur me të ardhmen e klubit tonë, për të cilin kemi investuar shumë”, ka shkruar ai.

Ai ka uruar Prishtinën si në arenën vendore, ashtu edhe në atë ndërkombëtare, duke shtuar se kanë bërë punë të madhe ndër vite për t’i arritur sukseset.

“Klubi Im dhe i Juaji i Zemrës në gjithë këto vite është bërë një brend i njohur dhe i respektuar ndërkombëtarisht, duke na bërë krenarë si në Kosovë ashtu dhe në Europë. Jemi bërë sinonim i fitoreve dhe sukseseve. Vetëm në këto 6 vjetët e fundit ne kemi arritur të fitojmë plot 56 trofe. Vlera e tyre ishte po aq e madhe sa edhe ndjenja e të bërit krenarë me mijëra e mijëra shqiptarë anekënd botës”, ka shkruar Stavileci.

Më tutje ai ka thënë së në këtë mënyrë ka dhënë shembull se si duhet të respektohet ligji i shtetit.