Prishtina. Pamje nga droni: BIRN

Rama e kabineti i tij përballen me pyetjet e kërkesat e qytetarëve në diskutimin publik

Komuna e Prishtinës të mërkurën mbajti diskutim publik me qytetarët në Sallën e Seancave ku të pranishëm ishin kryetari Përparim Rama, nënkryetarët si dhe ekipi i drejtorëve të drejtorive.

Qytetarë të lagjeve të ndryshme e fshatrave paraqitën problemet me të cilat përballen para kryetarit e kabinetit të tij.

Shqetësimet e banorëve nisnin nga sfidat me qasjen në hapësira publike, uzurpime pronash, çështjen e mbeturinave e ato infrastrukturore.

Sokol Berisha, banor i zonës Qendër deklaroi se kanë problem me ndërmarrjen ‘Prishtina Parking’ si dhe mungesën e hapësirave për persona më aftësi të kufizuara.

“Qe dy vite që e ka Prishtina Parking nuk ka bërë kurrfarë zgjidhje për banorë. Kemi ardhur në një pikë që t’u drejtohemi edhe organeve të drejtësisë. Vetëm në hyrjen ku banoj unë janë 5-6 persona me aftësi të kufizuara, është problem qasja në hyrje e në lagje, nuk ka sinjalizim. Jemi në kaos shumë të madh”- u shpreh ai.

Arben Fazlija, po ashtu banor i kësaj zone tha se kanë problem me zhurmën nga lokalet e madje dy parqe të ndërtuara së fundmi janë demoluar pa u funksionalizuar ende.

Lidhur me këto ankesa kryetari Përparim Rama tha se do caktojnë një ditë për t’u takuar në lagje dhe parë nga afër problemet.

Derisa, drejtori i Investimeve Kapitale Krenar Xhaferi tha se në atë zonë kanë mbetur punimet në stagnim pasi një kompani kishte dërguar tenderin në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

“Aty është edhe problemi me kanalizim të cilin e kemi tenderuar në fillim të vitit, por ka shkuar në OSHP dhe shumë procese, është situatë e rëndë për shumë objekte banesore që nuk kanë mundur të kyçen në Termokos për shkak të këtij problemi”- tha Xhaferi.

Mehmet Gjata banor i lagjes Tasligje u ankua për uzurpim të pronës publike që po ndodh nga bizneset për shumë vite.

“I kam njoftuar inspekcionin, por komuna është mbyllur për informacion. Po ashtu kam shtruar pyetje edhe për probleme që kemi me Pastrimin, nuk kam marr diçka”- tha ai.

I pari i Prishtinës në ndërkohë thekoi se “Çdo gjë që është joligjore, do hiqet, ju siguroj se edhe me drejtorinë e pronës e inspekcionin do analizojmë vendin”- tha Rama.

Ankesë më ndryshe pati qytetarja Sineta Nikoçeviq e cila tha se bashkë me motrën janë inxhiniere të arkitekturës, por komuna nuk i ka pranuar në punë me vite të tëra.

Derisa, Arjan Zajmi banor i lagjes ‘Aktash’ kërkoi nga komuna që t’u ndihmojë në një problem që kanë me ventilim në objektin banesor, ku fqinji që ka Penthouse (kati më i lartë) i ka mbyllur oxhaqet.

“Ndërtesa e Konakut janë rrënuar 17 oxhaqe, pra jemi 25 banesa pa ventilim. Në bazë të dokumenteve dhe fletës poseduese aty është një kulm i rrafshët i mbuluar me zhavorr dhe në atë kulm zotëria që ka qasje, pasi ka Penthouse i ka rrënuar ato dhe ne jemi pa ventilim”- tha Zajmi.

Rama në anën tjetër u shpreh i befasuar që ky problem nuk është zgjidhur ende dhe konsideroi se për këtë rast duhet edhe ndërhyrje nga gjykata.

“E mbaj mend këtë dhe jam super i befasuar që nuk është zgjidhur ky problem. Ky po duket me shumë si diçka që duhet të zgjidhet me gjykatë e polici. Prej zyrës tonë ligjore do u japim hapa se si ta rregulloni këtë çështje. Këtu cenohet shëndeti juaj”- u shpreh Rama.

Por, drejtori i inspekcionit Florian Dushi tha se banorët fillimisht kanë dhënë pëlqim për atë ndërhyrje e më pas janë penduar kur e kanë parë dëmin.

“Ajo nuk ka ndodhur rastësisht, pasi fillimisht ka qenë me pëlqim të banorëve e ndërkohë këta janë pendu pse e kanë dhënë atë pëlqim sepse e kanë parë dëmin që është shkaktuar aty sa i përket ventilimit”- tha Dushi.

Ai po ashtu tha se kur kanë shkuar për asistim të banoreve në hapje të një qasje të re janë përball me një ndërhyrje të çuditshme nga ana e policisë”.

“Është marr vendimi që ato të kthehen në gjendjen si kanë qenë, qasja e vetme në atë kulm është përmes banesës së personit që e ka shkaktuar dëmin. Banorët kanë kërkuar leje në urbanizëm për të krijuar një qasje tjetër, këta kanë pas problem të krijojnë atë qasje pasi ai banori nuk i ka lejuar. Edhe pse nuk ka qenë punë e jona, kemi shku të asistojmë për hapje të asaj qasje, por më pas ka pas ndërhyrje të çuditshme të policisë që me gjasë ai e ka pas dikë në polici. Kurdo që janë të gatshëm bashkë me Inspektoratin Policor do asistojmë”- tha tutje Dushi.

Derisa, Shpend Avdyli, përfaqësues i Banesave të Bardha në ‘Bregun e Diellit’ deklaroi se problem kryesor e kanë mungesën e ashensorëve dhe ujërat e zeza në bodrume.

“90% e objekteve në bodrume kanë problem me ujëra të zeza, parqet e lodrave”- tha ai.

Përparim Rama tha se si banorët duhet të iniciojnë proces për instalim të ashensorëve në bashkëfinancim me Ndërmarrjen Publike Banesore.

“Sa i përket liftave ato janë të gjitha ndërtesa private mirëpo kryeqyteti ka mundësuar që përmes Ndërmarrjes Publike Banesore me investim 70% komuna dhe 30% banorët mund të iniciohet procesi i instalimit”- deklaroi Rama.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu tha se prioritet për ndërhyrje në ashensorë do i kenë ndërtesat e vjetra.

“Kemi trashëguar mbi 70 kërkesa për intervenime në ashensorë, ka prej atyre që duhet ndërtuar prej zeros, jemi në proces nënshkrimi më NPB-në ku do analizohen gjithë ashensorët dhe do ketë intervenime”- tha Musliu.

Në anën tjetër, Lulzim Xhema nga fshati Dabishevc kërkoi që komuna të shtrojë rrugën në këtë fshat ku ai merret me bletari.

“Problem e kam infrastrukturën, ka qenë në vizitë drejtori i Bujqësisë e ka parë gjendjen dhe më pas kanë dal ekipi e ka pa gjendjen, i ka bërë matjet për rrugën por ende nuk ka diçka. Prej reshjeve kam intervenuar me mjete të mija për rregullim”- tha ai.

Lidhur me këtë problem, drejtori i Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi tha se do dërgojnë ekipin pasi sipas tij për 300 metra rruge nuk është ndonjë problem.

E qytetari Ahmeti Gashi nga fshati Mramor kërkoi të dijë përse komuna nuk po e kryen një këmbim prone tash e 5 muaj, sipas tij, kjo zvarritje nuk është në harmoni me ligjin.

“Qe pesë muaj kemi bërë kërkesë për këmbim të pronës private me një pronë komunale dhe nuk kemi asnjë përgjigje. Ligji parasheh se për sa kohë duhet të kemi përgjigje”- tha Gashi.

Derisa, një qytetar tjetër kritikoi komunën që po mbjell drunj në trotuare e kështu degët kapen në pasqyra të autobusëve gjatë qarkullimit.

“Lirimi i trotuareve ka qenë premtimi juaj, drunjtë i keni mbjellë në trotuare, pasqyra e autobusit kapet në to”- u shpreh qytetari.

Drejtoresha e Parqeve, Donika Çeta tha se në çdorrugë ku ka kërkesa për krasitje, bëhen ndërhyrjet e nevojshme.

Pyetje pati edhe për ruajtjen e trashëgimisë së qytetit, qytetari nga lagjia a Muhagjerëve, Orhan Ramadani u interesua të dijë se ku ka mbetur projekti për ndërtim të një çezmeje si memorial për Muhaxherët.

Lidhur me këtë, drejtori Ilirik Musliu u shpreh se janë në procedurë të shpalljes së tenderit.

“Jemi në procedurë të shpalljes së projektit, do bëhet në kuadër të mirëmbajtjes së fontanave, është projekt që është votuar në asamble”- u shpreh Musliu.

Lidhur me zonën historike pati kërkesa edhe se çfarë do bëjë komuna me lokalet përreth objektit të shkollës së parë shqipe, për të cilin kryetari Rama tha se po punohet që në atë zonë secilit objekt t’i ruhet identiteti, e njësoj, sipas tij, do veprohet edhe me atë të shkollës së parë shqipe që ka mbetur në proces tash e disa vite.