Prishtina planifikon të ndajë 130 mijë euro për furnizim me teste serologjike

Komuna e Prishtinës ka shpallur tender për furnizim emergjent me teste serologjike.

Në njoftimin për kontratë thuhet se komuna pret të furnizohet me 170 kuti të ‘VIDA SARS COV-2 IgG II, 60’

Për këtë furnizim, komuna ka paraparë të ndajë 130 mijë euro.

Kontrata është duke u ekzekutuar me procedurë të hapur, kurse kriter për dhënie të saj është operatori ekonomik që ofron çmimin më të ulët.

Komuna e Prishtinës është duke u furnizuar me këto teste që nga pjesa e dytë e vitit 2020.

Testi serologjik shërben për të identifikuar numrin e antitrupave të krijuar ndaj virusit COVID-19.

Ky test preferohet të bëhet tre javë pasi keni kaluar virusin ose nëse dyshoni se keni qenë të infektuar.

Komuna e Prishtinës e kryen këtë test falas nëpër disa qendra të mjekësisë familjare.

Përpos tij, Prishtina kryen edhe teste të shpejta për COVID-19, rezultati i të cilave del pas 20 minutave.

Nga drejtoria e Shëndetësisë në komunë është thënë se komuna do kryejë këto shërbime për aq kohë sa do ketë raste me COVID-19