Komuna e Rahovecit

Raportimi i KALLXO.com, ngritet aktakuzë për korrupsion ndaj ish drejtorit të Shëndetësisë në Rahovec

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj ish drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Rahovecit, Samir Mustafës.

Mustafa po akuzohet për ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria ka të bëjë me një konkurs për fizioterapeut në QKMF-në e Rahovecit, të shpallur më 17 janar 2019,  në kohën sa Mustafa ishte drejtor i Shëndetësisë në Rahovec.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Mustafa ka thënë se ende nuk e ka pranuar njoftimin e Prokurorisë për aktakuzë, ndërsa ka thënë se këtë e ka marrë vesh nga mediat.

“Unë si ish drejtor, ka qenë një konkurs për fizioterapeut aty në QKMF, zyrtari ligjor që e ka përpilu kontratën ka bo gabim, unë si drejtor e kam pas kontratën e gatshme edhe vetëm e kam nënshkru, por sipas tyre paska qenë gabim te shifra e pagës. Diçka tjetër nuk ka”, ka thënë Mustafa përmes telefonit.

KALLXO.com në mars të 2019-ës kishte raportuar se konkursi i shpallur nga Drejtoria e Shëndetësisë, për fizioterapeut në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Rahovec, ishte në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për veprimtaritë e institucioneve të Kujdesit Parësor Shëndetësor.

Ky Udhëzim thotë se QKMF e një komune nuk ofron shërbime të fizioterapisë. Të njëjtën gjë e thotë edhe Statuti i QKMF-së.

Në atë kohë edhe Ministria e Shëndetësisë, gjithashtu e kishte konfirmuar se QKMF-ja e një komune nuk ka të drejtë të shpallë konkurs për fizioterapeut.

Sipas Prokurorisë, aktakuza ndaj Samir Mustafës është ngritur me 25 janar të këtij viti.

 

Komuna e Rahovecit punësoi fizioterapeut në kundërshtim me U.A. të MSh-së për Kujdesin Parësor Shëndetësor