Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lirohet nga detyra drejtori i shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi është liruar nga detyra.

Këtë ai e ka konfirmuar për KALLXO.com, duke thënë se ky vendim është marr javë më parë në koordinim me kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti.

“Ky vendim është marr javë më parë, në koordinim të plotë me kryetarin Shpend Ahmeti, të cilin e falënderoj për besimin e dhënë dhe përkrahjen e vazhdueshme”, ka  thënë ai.

Gashi tha se meqë është fundi i mandatit, ai ka vendosur t’i kthehet profesionit.

“Meqë jemi në fund të mandatit, dhe shumica e projekteve që varen nga niveli lokal janë realizuar, kam vendosur që t’i kthehem profesionit – duke u liruar nga detyra politike si drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës. Po ashtu më duhet të shtoj që pozita ku jam kthyer ka qenë e ngrirë që nga emërimi im, ashtu siç edhe e parasheh ligji për shërbyes civil”, shtoi tutje ai.

Gashi theksoi se përkundër këtij vendimi ai do vazhdojë të jetë pjesë e Task Forcës komunale në këtë kohë të vështirë.

“Paralelisht kësaj unë vazhdoj të jem i angazhuar në ekipin e Task Forcës Komunale dhe të gjitha proceset e Drejtorisë së Shëndetësisë në mënyrë që mbarëvajtja e punës dhe dinamika të mos ndryshojnë, në këtë kohë të vështirë”, tha Gashi.

Bujar Gashi është specialist i mjekësisë familjare, ndërsa në pozitën e drejtorit të Shëndetësisë në komunë është emëruar në vitin 2018.