array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=5"
  }
}

Loja e Flora Brovinës me tragjedinë e dhunimeve

Deklarata

Flora Brovina me 16 maj 2019: “Fotografia është e vërtetë, e kam marrë nga familja”.

 

 

Flora Brovina

Vlerësimi

Rrenë e kryptë

Prokuroria e Shtetit 5  qershor 2019: “Fotografia e paraqitur nga deputetja Brovina është nxjerrë nga interneti”.

Mashtrimi i bërë nga Flora Brovina tashmë ka marrë edhe vulën e Prokurorisë së Shtetit. Foto e publikuar nga Broniva me qëllim të faktimit të dhunimeve dhe krimeve të serbëve në Kosovë nuk ka qenë autentike dhe e njëjta është e ngarkuar në internet, kryesisht në ueb-faqe me përmbajtje pornografike. Pas këtij konfirmimi duhet veçuar edhe ndryshimin e vazhdueshëm të deklaratave që ka bërë Brovina për autenticitetin e fotos, për miratimin e familjes së viktimës për publikim të fotos, madje edhe për dhënien e detajeve për moshën e të dhunuarës apo rajonit ku është kryer krimi. Të gjitha në fund dolën të jenë trillime. KRYPOMETRI vlerëson se ky mashtrim ka shkaktuar dëme të madh ndaj viktimave të dhunës seksuale të kryer nga forcat serbe në Kosovë.

Artikulli

Më pak se një muaj pas publikimit të fotografisë, Prokuroria Speciale ka nxjerrë rezultatet e ekspertizës së fotografisë që deputetja Flora Brovina e kishte prezantuar si provë të një dhunimi gjatë luftës në Kosovë.

Sipas Prokurorisë, fotografia e prezantuar nga Flora Brovina më 16 maj, në hollin e Kuvendit të Kosovës, është nxjerrë nga interneti dhe nuk ka të bëj me rastet e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Fotografia e publikuar më 16 maj, nxiti reagime të shumta. Nga ana tjetër mediat publikuan imazhe të njëjta me fotografinë e Brovinës, të cilat i kishin nxjerrë nga një faqe me përmbajtje pornografike në internet. Edhe pas kësaj, Flora Brovina insistone që fotografia ishte autentike dhe se ishte marrë nga familjarët e vajzës së dhunuar.

Kontestimi i vërtetësisë së kësaj fotografie bëri që Prokuroria Speciale të marrë në intervistë Flora Brovinën dhe të bëj ekspertizën e kësaj fotografie.

16 maj 2019 – Publikimi i fotografisë

Në ditën kur Kuvendi i Kosovës po mbante seancën plenare për të votuar rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë, deputetja e PDK-së, Flora Brovina doli në hollin e Kuvendit dhe tha se do të dëshmojë për krimet e luftës në Kosovë duke thënë se ka fakte.

Para mediave, të cilat po e transmetonin live deklaratën e saj, Brovina mbante në dorë një fotografi te pacensuruar ku shiheshin tre burra me uniforma ushtarake duke e dhunuar një grua. Ajo deklaronte e bindur se në fotografi shiheshin ushtarët serbë duke dhunuar një grua kosovare.

“Sikur neve na është mbyllur goja dhe mundësia për të fol këto gjëra. Në qytete të mëdha kanë ekzistuar punkte të veçanta për dhunime. Një dëshmi është kasetë që i është gjetur një ushtari serb, me akte të dhunimit në Vushtrri, incizim që është bërë me rrobat e përgjakura të grave dhe ky incizim iu është dorëzuar prokurores së Tribunalit të Hagës. Ka mjaft të tjera dëshmi, kam histori të këtyre grave që jo të gjitha janë si heroina që dëshmojë në OKB. Por, para gjykatës dhe dëshmitë që këtu është bërë një gjenocid”, deklaroi deputetja Brovina.

Reagimet kundër publikimit të fotografisë

Publikimi i kësaj fotografie nga deputetja Brovina nxiti shumë reagime. Reagimet fillimisht ishin kundër publikimit të kësaj fotografie, duke mos e vënë në pikëpyetje autenticitetin e saj.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), kishte reaguar duke thënë se të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë janë tepër të shqetësuar dhe të indinjuar pas publikimit të këtyre pamjeve.

Kundër publikimit të fotografisë për të cilën Brovina pretendonte se shihej një grua 35 vjeçare teksa dhunohej nga ushtarët serbë reagoi edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ish-presidentja e ka quajtur veprimin e Brovinës të gërditshëm, neveritës e të turpshëm.

“Është e gërditshme, e neveritshme, dhe e turpshme se si një deputete e Kuvendit të Kosovës, e cila dikur ngriste dorën kundër të drejtave të grave e burrave të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë, sot shfrytëzoi pikërisht godinën e Kuvendit për të publikuar para mediave një fotografi që thuhet se dokumenton aktin e dhunimit të një gruaje shqiptare nga tre ushtarë serbë”, thuhej tutje në reagimin e Jahjagës.

Reagime pati edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës, të cilat thanë se deputetja Flora Brovina me këtë veprim ka shkelur parimin e dinjitetit të të mbijetuarave, përmes së cilës është zbuluar edhe trupi i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

”Zonja Brovina ka shkelur Nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Kjo fotografi ku gruaja dhunohet para familjarëve të saj, përveç që është shumë e rëndë dhe shqetësuese, mund të ndikojë edhe në përkeqësim të gjendjes emocionale dhe psikike të të mbijetuarës”, thuhej në reagim.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, reagoi pas publikimit të fotografisë duke kërkuar që një gjë e tillë të mos ndodhë më, pasi sipas saj çdo viktimë duhet të trajtohet me dinjitet.

“Ju kisha lutur të keni kujdes mënyrën që mos me lënë ajo çka ndodhi ma herët me fotografi, është tepër me rëndësi që çdo viktimë dhe çdo familjar të trajtohet me dinjitet. Nuk guxojmë me leju gjëra të tilla më”, tha ajo.

Kundër publikimit të fotografisë nga ana e deputetes Brovina ka reaguar edhe Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ajo ka kërkuar që të kenë kujdes me foto të tilla sepse sipas saj po provokohen ndjenjat.

“Pas krejt kësaj katrahure në lidhje me foton e publikuar sot, pavarësisht se ku ndodhë apo prej kujt ka ndodhur dhuna seksuale është e dënueshme, por si nja e mbijetuar unë në emër ” të gjithave” ju lutem që të kini kujdes dhe mos të provokohen ndjenjat tona. Sepse më së paku ne na duhet të shohim gjëra të tilla, sepse kjo është njëra nga padrejtësitë që na bëhet neve”, tha Krasniqi Goodman.

Përveç reagimeve të atyre që nuk e përkrahnin publikimin e kësaj fotografie, kishte edhe prej atyre që e kanë postuar dhe ripostuar fotografinë si të pacensuruar duke deklaruar se kjo duhet të bëj politikanët që t’i hapin sytë dhe të tjerët mos të harrojnë se çka ka ndodhur në luftën e fundit në Kosovë.

Kontestimi i vërtetësisë së fotografisë

Pa kaluar shumë orë nga publikimi i fotografisë, në mbrëmjen e 16 majit, media gjetën se fotografia e njëjtë për të cilën deputetja Flora Brovina kishte pretenduar se ishte dëshmi e dhunimit të një gruaje kosovare nga ushtarët, paraqitej online në një faqe me përmbajtje pornografike.

Fotografia e indeksuar nga Google, del të jetë ngarkuar në një faqe online që kryesisht ka përmbajtje pornografike. Mirëpo ajo gjendet edhe në disa faqe të tjera ku përshkruhet si krim që ushtarët amerikanë kanë bërë ndaj grave irakiane.

Si dhe, fotografia del si rezultat i kërkimit me fjalët kryesore ‘Iraq’, dhe ‘Nude’, ‘Girls’.

Edhe pse mediat kishin nxjerrë dëshmi që kontestonin vërtetësinë e fotografisë së prezantuar nga Brovina, deputetja e PDK-së vazhdonte të insistonte se fotografia e prezantuar në hollin e Kuvendit ishte e vërtetë. Ajo madje deklaroi se atë fotografi e kishte marrë nga familja e vajzës së dhunuar.

“Fotografia është e vërtetë, e kam marr nga familja. Nuk kam imazhe të tjera nga skena e njëjtë. Foton e kam pranu me kontakt. Sot nuk kam fol me familjen por herave të tjera. Nuk është hera e parë që e tregoj fotografinë. Krimet e luftës i dëshmoj në çdo moment jam në dispoziocion”, tha ajo në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTV Dukagjini.

Ajo tha se nuk mund të mohohet se ushtarët serb mund të kenë incizuar edhe filma nga dhunimet për qëllime pornografike.

Pas gjithë pluhurit që u ngrit nga publikimi i fotografisë dhe vënia në dyshim e vërtetësisë së saj, Prokuroria Speciale vendosi që e njëjta fotografi t’i nënshtrohej ekspertizës.

Prokurorja Speciale, Drita Hajdari tha për KALLXO.com se do të bëhet krahasimi i fotografisë së prezantuar me ato online.

“Fotografisë do t’i bëhet ekspertizë kibernetike nga Agjencia e Forenzikës për të parë autenticitetin e saj dhe krahasuar me fotografitë e shfaqura nga luftërat e Irakut”, tha Hajdari.

17 maj 2019 – Brovina i ndërron fjalët

Më 17 maj, një ditë pas publikimit të fotografisë, deputetja  Flora Brovina u intervistua nga Prokuroria Speciale e Kosovës lidhur me pretendimet për fotografinë e “dhunimit”.

Deputetja e PDK-së u largua e heshtur pas intervistimit, përderisa pak më vonë, ajo u paraqit përsëri në oborrin e Kuvendit të Kosovës ku u deklarua për media.

Brovina para gazetarëve e pranoi se fotografia e prezantuar më 16 maj, e cila shkaktoi një varg reagimesh në Kosovë, nuk është autentike.

“Edhe një herë ju kërkoj falje të gjithë atyre dhe qëndroj edhe për fajësinë time që nuk e kam verifikuar në momentin e fundit edhe një herë”, tha Brovina.

Ajo shtoi se imazhin e ka pranuar nga një aktivist qysh prej vitit 2003 dhe e ka mbajtur së bashku me shumë dosje të tjera.

Tutje Brovina ka thënë se nuk ka menduar se dikush do t’i jepte një fotografi të tillë të rreme për një çështje kaq të ndjeshme.

Gjatë ditës, në konferencë për media doli edhe prokurorja speciale, Drita Hajdari, e cila e ka intervistuar deputeten Brovina në cilësinë e dëshmitares.

Hajdari deklaroi se  Brovina e ka pranuar se nuk e ka raportuar këtë fotografi më herët në Prokurori dhe se nuk është në dijeni për identitetin e viktimës në fotografi, përderisa dje e kishte thënë të kundërtën.

“E kam pyet a din për identitetin e viktimës, ka thënë që jo, nuk e din. Ia kam përkujtuar dje ka thënë se foton po e publikon me pëlqimin e viktimës dhe familjarëve, më ka thënë se kjo nuk qëndron dhe se ajo ka konsideruar, me vet faktin që i beson fotos, se e ka pëlqimin e viktimës dhe familjarëve të saj. Ajo nuk e ka kontaktuar viktimën”, tha Hajdari.

Prokurorja Speciale theksoi se Flora Brovina nuk ka pasur me vete fotografinë gjatë intervistimit.

Edhe kryetari i PDK-së dhe Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e kishte pranuar se bashkëpartiakja e tij ka gabuar. Ai ka thënë se beson që Brovina e ka bërë pa dashje.

“Zonja Flora Brovina ditën e djeshme ka bërë një gabim të madh, por unë besoj se e ka bërë pa dashje, e them këtë sepse e njoh Florën. Ajo është dashur të konsultohet më herët për atë veprim, por ne duhet të gjithë bashkërisht të nxjerrin mësim nga ky gabim. Ky gabim na tregon se trajtimi i të kaluarës duhet të bëhet me ekspertë të mirëfilltë, që i trajtojnë faktet e krimeve në mënyrë rigoroze dhe të verifikuar”, ka shtuar tutje.

‘Gjuajtja e topit’ te Mevlude Saraçi

Pas intervistimit nga Prokuroria Speciale, deputetja Flora Brovina kishte dhënë deklaratë për media nga Kuvendi i Kosovës, objekt brenda të cilit fillimisht e kishte publikuar fotografinë.

Brovina kishte thënë se fotografia i ishte dorëzuar asaj brenda një zarfi nga ish-deputetja e LDK-së, Mevlyde Saraçi në vitin 2003.

“Me dy personat që e kam ndarë ngjarjen ka qenë se më është thënë që kjo ngjarje ka ndodhë diku në Dukagjin dhe ashtu më është thënë mua si kryetare e komisionit. Personi në fjalë që më ka thënë kështu ka qenë aktivist i të drejtave të njeriut dhe emrin nuk ja di sepse e kam harru dhe nënkryetarja e komisionit ka qenë Mevlude Saraçi, me të cilën kemi bashkëpunuar shumë ngushtë dhe kemi bërë shumë punë të mëdha në zbulimin e varreve masive në Batajnicë dhe Petro Vesello. Ajo ma ka pru zarfin dhe më ka thënë që kjo grua është 35 vjeçare”, ishte shprehur Brovina.

Lidhja Demokratike e Kosovës kishte reaguar ndaj deklaratës së deputetes së PDK-së. Në reagim thuhej se është e papranueshme kjo deklaratë e deputetes Brovina, e cila sipas tyre, tenton që fajin për mosprofesionalizmin e saj ta hedhë tek të tjerët.

“Është e udhës që znj. Brovina të kërkojë falje dhe të marrë përgjegjësi për mungesën e profesionalizmit nga ana e saj. Përgjegjësia profesionale, ligjore, morale dhe etike për dokumentet që prezanton znj. Brovina i takon asaj, vetëm asaj dhe askujt tjetër”, thuhet në reagim.

5 qershor 2019 – Prokuroria e konfirmon, fotografia është marrë nga interneti

Më pak se një muaj pas publikimit të fotografisë, Prokuroria Speciale ka nxjerrë rezultatet e ekspertizës së fotografisë që deputetja Flora Brovina e kishte prezantuar si provë të një dhunimi gjatë luftës në Kosovë.

Bazuar në të dhënat e ekspertizës dhe provat tjera të nxjerra gjatë hetimit, Prokuroria ka konkluduar se ngjarja nga fotografia e paraqitur nga deputetja Flora Brovina, është nxjerrë nga interneti dhe nuk ka të bëjë me ndonjë rast të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Fotografia në fjalë është dërguar për ekspertizë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, e cila ka konstatuar se fotografia e paraqitur nga deputetja, Flora Brovina, është e printuar në format A4 kolor dhe nuk ka asnjë të dhënë, e cila kishte mundësuar hulumtimin e origjinës së fotografisë dhe nuk ka asnjë shenjë nga është printuar”, thuhet në njoftim.

Kjo fotografi është krahasuar me një fotografi tjetër të siguruar nga interneti dhe u konstatua se në të dy fotografit është paraqitur ngjarja e njëjtë.

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).